Një bllok i Kosovës A nxirret nga operimi deri në fund të shkurtit

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se nga sot dhe për gati një muaj, njësia A-3 e Termocentralit Kosova A do të jetë jashtë operimit.

Zëdhënësi për media i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka thënë për KOHËN se KEK-u “është duke operuar me kapacitete të plota” dhe si zakonisht, dhe se ndërprerja e operimit ka qenë e paraparë.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se sot në ora 00:00 dt. 29.01.2022 njësia A-3 e TC Kosova A është nxjerre nga operimi dhe sipas planit pritet të ri-kthehet në operim me dt.27.02.2022 ora 24:00”, tha ai.

Bucolli shtoi se KEK-u vazhdon të operojë sipas planifikimit, me dy njësi të Kosova B dhe dy të Kosova A. Tha se kapaciteti do të jetë 750 megavat në orë.

“Konform bilancit energjetike të aprovuar, KEK do të vazhdojë të operojë me dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MË/h energji elektrike. Po ashtu sipas rregullave të operimit kompania përgjegjëse për furnizimin e konsumatorëve universal si dhe të gjitha palët e interesit janë njoftuar me kohë”, tha ai.