Skizofrenia e luftës është gjëja më e vështirë për t’u shpjeguar: a mund të ketë vërtet 881 të vdekur gjatë një armëpushimi?
Shkruan Irdi Memaj, mjek i urgjencës që punon në urgjencën e Al-Qarara (Khan Younis), në Rripin e Gazës, që prej gushtit 2025
Në orën 21:12 mbërriti një urdhër evakuimi për lagjet Bureij dhe Nuseirat. Dy nga infermierët tanë palestinezë nga Gaza jetojnë pikërisht aty. Kur lexova lajmin, u shkrova menjëherë për t’i pyetur nëse ishin mirë.
Më përgjigjën se ndodheshin në rrugë, duke pritur bombardimin. Meqenëse urdhri i evakuimit përfshinte dy lagje ngjitur me njëra-tjetrën, njerëzit ishin mbledhur në rrugën që i ndante, sepse nuk kishte rrugë tjetër shpëtimi.
Të nesërmen në mëngjes, infermierët më treguan se mbrëmjet e kaluara në rrugë, duke pritur bombardimet, tashmë u kujtojnë festat verore të fshatit. Janë të gjithë fqinjët bashkë, bisedojnë, bëjnë shaka e thashetheme, ndërsa ndiejnë freskinë e erës që vjen nga deti.
Në orën 22:43 ra bomba mbi Bureij. Ambulancat u nisën menjëherë për të marrë të plagosurit, por për t’i çuar në spital duhej të kalonin përmes Nuseiratit, i cili ende nuk ishte bombarduar.
Për këtë arsye u detyruan të prisnin në hyrje të lagjes me të plagosurit në bord. Vetëm pasi ranë bombat mbi Nuseirat, ato mundën të vazhdonin rrugën drejt spitalit, njëra pas tjetrës, ndërkohë që ambulanca të tjera nxitonin për të ndihmuar të plagosurit e fundit.
Pasi rreziku kaloi, infermierët tanë u kthyen në shtëpi, sepse atë herë shtëpitë e tyre ishin ende në këmbë.
Të nesërmen në mëngjes, Saidi, njëri prej atyre infermierëve, u kthye në punë në klinikën e urgjencës në Al-Qarara, duke sjellë ëmbëlsira për të gjithë stafin për të njoftuar fejesën e tij. Ishte jashtëzakonisht i lumtur dhe nuk pranonte që dikush të mos merrte të paktën një copë.
Skizofrenia e luftës është gjëja më e vështirë për t’ua shpjeguar atyre që nuk e kanë përjetuar kurrë. Ndarja e vetvetes – si në planin individual, ashtu edhe në atë kolektiv – e shtrembëron realitetin, duke krijuar një qark të shkurtër që çorienton shqisat, emocionet dhe arsyen.
Njeriu ndihet i copëzuar, si kurrë më parë. Si ka mundësi që ai burri me frak të jetë aq i rregullt, ndërsa ecën mes rrënojave? Si është e mundur që melodia e shitësit ambulant të akullores të hyjë çdo pasdite me aq përpikëri nga dritarja ime, e shoqëruar nga zhurma e dronëve dhe shpërthimet e bombave?
Si mund të bësh shaka, duke parë grumbullin e rrënojave pranë asaj që dikur ishte shtëpia jote, e duke thënë se ajo ishte ndërtesa më e lartë e Gazës dhe tani është më e ulëta, kur vetëm një çast më parë u trembe sepse dikush përplasi me forcë një sirtar?
A mund të ketë vërtet 881 të vdekur gjatë një armëpushimi? Pse tezgat e pista janë plot me pije të gazuara, ndërkohë që 400 mijë njerëz vazhdojnë të vuajnë nga uria? Disa mbrëmje më parë u dha një urdhër evakuimi vetëm një kilometër e gjysmë larg shtëpisë sonë, në Deir Al-Balah.
Nga çatia vështronim pikat e kuqe që pulsonin mbi objektivin, ndërsa në sfond muzika nga një stereo-je bënte të dridheshin muret e të gjithë lagjes, duke shtrembëruar tingujt e lahutave orientale dhe duke çarë baset, sepse jo shumë larg po festohej një martesë.
Fishkëllima e raketës që afrohej u bë gjithnjë e më e fortë dhe na la pa frymë për tre sekonda, derisa shpërthimi në largësi e çliroi ankthin. Në ato tre sekonda nuk e dëgjova më muzikën. Por muzika nuk ishte ndalur. Ajo vazhdonte të luante, e pandërprerë.
Pyes veten sa të copëzuar ishin ata njerëz që festonin në një situatë të tillë. Ose ndoshta, pikërisht në atë çast, ishin më të bashkuar se kurrë. \tesheshi



