Një i vdekur dhe 81 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Një person ka vdekur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë, si pasojë e infektimit me COVID-19.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë njoftojnë se edhe 81 raste të reja pozitive me koronavirus janë regjistruar nga gjithsej 1,699 testime të kryera.

Gjatë së njëjtës periudhë kohore janë regjistruar edhe 403 persona të shëruar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 221,022.

Me këtë rast edhe numri i rasteve aktive ka rënë në 2,058.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 329 doza të vaksinës kundër COVID-19. MSH-ja njofton se nga fillimi i vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1,812,571 doza të vaksinës.

Deri më sot 815,710 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Kurse dozën përforcuese e kanë marrë 97,340 persona.