Një javë nga tragjedia, asnjë përgjegjësi, VMRO akuzon pushtetin

Pothuajse një javë nga tragjedia e tmerrshme në Bullgari, që la të vdekur 45 persona dhe 7 të tjerë të lëndur, shkaku që çoi në këtë aksident mbetet ende mister.

Kanë ngelur vetëm kujtime të hidhura, kufoma që ende nuk pushojnë në varret e tyre dhe të lënduar që kurohen spitaleve. Hetimet për të gjetur shkakun po bëhen nga pala bullgare, kjo ishte një shpresë për qytetarët se ndoshta e vërteta do të dilte shpejtë sheshit, pasi në vendin tonë, rastet e ngjashme mund të mbesin sirtarëve të gjykatave dhe si shumë të freskët vendasit e mbajnë mend rastin në Llaskarcë. Duke qenë se zyrtarisht nuk është zbuluar asgjë, tek popullata vazhdimisht dalin teori të ndryshme se kush dhe si e ka shkaktuar aksidentin.

VMRO-DPMNE-ja ka reaguar edhe sot duke fajësuar pushtetin për këtë fatkeqësi. Zëdhënësja e VMRO-së Marija Miteva kërkoi që pushteti LSDM –BDI të japë përgjigje për shumë pyetje që bëhen në opinion.

“Është e turpshme që personat përgjegjës nga LSDM dhe Qeveria vlerësojnë se nuk është fajtor korrupsioni i institucioneve në rastin e aksidentit fatal, por njerëzit që nuk e kanë vërejtur korrupsionin. Tentimet për tu mbuluar lëshimet e tyre dhe paaftësia duke e hedhur fajin tek njerëzit është një mënyrë shtesë e funksionimit të koalicionit LSDM-BDI. Është më shumë se e nevojshme që opinioni t’i marrë përgjigjet dhe përfundimisht pushteti të japë përgjegjësi”.

Ndërkohë, në Sofje po vijon identifikimi i kufomave që ndërruan jetë nga aksidenti i tmerrshëm. Javën e kaluar u morën mostrat e familjarëve të tyre në Mjekësinë Ligjore në Shkup, ndërsa ekipi i prokurorëve bullgarë erdhën dhe i morën ato për t’i dërguar në Bullgari. Poashtu u morën edhe dokumentacione nga prokuroria e vendit tonë lidhur me kompaninë e “Besa Transit”. /shenja