Një “nxënës” në Angli dështoi në 59 teste teorike të autoshkollës, përpara se më në fund ta kalojë atë

Një shofer i ri, i cili dështoi në testin teorik 59 herë para se ta kalonte, është vlerësuar për angazhimin e tij “të mahnitshëm”.

Identiteti i tij mbetet anonim, por ajo që dihet është se ai shpenzoi rreth 1,608 euro dhe rreth 60 orë kohë, në një qendër testimi në Redditch, Angli, shkruajnë mediat e huaja.

Çdo test teorik kushton rreth 26 euro, dhe zgjat rreth një orë.

Camilla Benitz, drejtoresha menaxhuese e autoshkollës AA, ka lansuar një aplikacion që ndihmon “nxënësit” të përgatiten për test.

“Nuk ka dyshim se është një test i vështirë, dhe angazhimi për ta kaluar atë është i mahnitshëm”, tha ajo.

Shifrat e Departamentit të Transportit të këtij vendi tregojnë se shkalla e kalueshmërisë për testet teorike ka rënë nga 65 për qind në vitin 2007-2008, në 44 për qind në vitin 2022-2023.

Ndryshe, “nxënësit” duhet të kalojnë testin teorik, përpara se të mund të rezervojnë një test praktik të vozitjes.