Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Një projekligj mizor izraelit merr “Ok” në Knesset

Një projekligj mizor izraelit merr “Ok” në Knesset

Dënim me vdekje në litar për të burgosurit palestinezë

Knesseti (parlamenti) Izraelit ka miratuar një projektligj që prezanton dënimin me vdekje për palestinezët e dënuar për sulme vdekjeprurëse, raporton gazeta britanike Guardian.

Sipas projektligjit, dënimi me vdekje bëhet dënimi kryesor për palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar, të cilët shpallen fajtorë nga një gjykatë ushtarake për sulme vdekjeprurëse të qëllimshme të konsideruara si terrorizëm.

Ligji përcakton që ata që janë dënuar me vdekje do të mbahen në ambiente të posaçme pa vizitorë, përveç personelit të autorizuar, ndërsa konsultimet ligjore do të kryhen ekskluzivisht përmes lidhjes video. Ekzekutimet duhet të kryhen brenda 90 ditëve nga vendimi.

Izraeli e ka përdorur dënimin me vdekje jashtëzakonisht rrallë, dhe i burgosuri i fundit i ekzekutuar ishte krimineli nazist i luftës Adolf Eichmann në vitin 1962.

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, një nga mbështetësit kryesorë të ligjit, ka mbajtur vazhdimisht një broshë në formë laku, që simbolizon ekzekutimet. Ai e përshkroi varjen si “një nga opsionet”, së bashku me karrigen elektrike ose “eutanazinë”, duke pretenduar se disa mjekë kanë ofruar ndihmë.

Komiteti i sigurisë ka bërë disa ndryshime në ligj dhe javën e kaluar miratoi votimin e parë. Transmetuesi publik i Izraelit KAN raportoi se ekzekutimet do të kryheshin me varje.

Ligji gjithashtu lejon gjykatat të vendosin dënimin me vdekje pa një kërkesë nga prokuroria dhe pa pasur nevojë për një vendim unanim, por me shumicë të thjeshtë. Gjykatat ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar do të kenë gjithashtu autoritetin për të vendosur dënimin me vdekje, me ministrin e mbrojtjes që jep një mendim.

Për palestinezët nën pushtim, ligji mbyll mundësinë e apelimit ose faljes, ndërsa të burgosurit e gjykuar brenda Izraelit mund të marrin burgim të përjetshëm në vend të dënimit me vdekje.

Ligji u prezantua nga partia e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, e udhëhequr nga Itamar Ben-Gvir.

Pas hyrjes në fuqi, ligji mund t’i nënshtrohet rishikimit dhe anulimit përfundimtar, gjë që varet nga Gjykata Supreme e Izraelit. /tesheshi