▪️ Është mosha e vetme për të cilën Kurani përmend një lutje të veçantë, jo si urdhër ligjor, por si thirrje shpirtërore, sikur Zoti t’i drejtohet njeriut si qenie që ka arritur pjekurinë e plotë të vetëdijes, duke thënë:
“Derisa arriti pjekurinë e tij dhe mbushi të dyzetat, tha:
‘O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti m’i ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më dhuro pasardhës të mirë! Unë te Ti pendohem dhe Ty të dorëzohem.’”
▪️ Të dyzetat nuk janë thjesht një numër në kalendarin e jetës, por një stacion ekzistencial, ku njeriu qëndron mes dy kohëve: me sytë e hapur për të parë njëkohësisht të kaluarën dhe të ardhmen…
Në të dyzetat, njeriu ndodhet mbi majën e malit të jetës.
Shikon majën e parë dhe sheh fëmijërinë e rininë e tij, jo si kujtime të largëta, por si shije që ende mbeten të gjalla në shpirt.
Pastaj shikon majën tjetër dhe kupton, për herë të parë, se distanca është më e shkurtër nga sa mendonte; se ajo që mbetet nuk është më një premtim i hapur, por një amanet i kufizuar…
1️⃣ Në këtë moshë jam më i aftë t’i kuptoj të gjithë.
2️⃣ Me të vegjlit flas me zemër, me të rinjtë me ambicie, dhe me të moshuarit me mençuri, jo sepse di gjithçka, por sepse kam provuar pak nga çdo gjë.
3️⃣ Trupi ka nisur të dërgojë mesazhet e tij të heshtura.
4️⃣ Flokët e bardhë kanë filluar të shfaqen, por jo papritmas.
5️⃣ Vajzat tani nuk i shoh më si fëmijë, por si shoqe; po më konkurrojnë në gjatësi dhe mendje, dhe presin shoqërim, jo autoritet.
6️⃣ Shokët dhe miqtë që më kanë qëndruar pranë, duke duruar të metat dhe humorin tim, më kanë mësuar se qëndrueshmëria në jetë nuk është çështje shumice, por sinqeriteti.
7️⃣ Sytë që dikur kapnin detajet pa mundim, tani kërkojnë ndihmë të vogël jo për të kujtuar dobësinë, por për të treguar se koha kërkon vëmendje.
8️⃣ Prej disa vitesh e ndiej se ditët po kalojnë më shpejt dhe po pakësohen.
Shpesh mendoj për prindërit e mi dhe kuptoj se ata nuk janë thjesht pjesë e jetës sime, por themel i saj.
Tani më vijnë pyetje që nuk më falin:
Çfarë kam arritur – në punë, në familje, në veten time dhe në marrëdhënien me Zotin?
Shpesh, këtu heshtja bëhet e rëndë.
Sepse po kuptoj se justifikimet që pranoheshin në të njëzetat nuk janë më bindëse, dhe vonesa që dikur dukej e mençur, tani është e rrezikshme.
Siç thoshte Hasan elBasriu:
“O biri i Ademit, ti je një grumbull ditësh; sa herë që kalon një ditë, një pjesë e jotja largohet.”
Tani po e kuptoj plotësisht se ndryshimi është i mundur, por nuk është më i lehtë si më parë, dhe çdo hap kërkon vetëdije të dyfishtë.
Të dyzetat nuk janë krizë, siç thuhet shpesh, por zgjim.
Nuk janë fundi, por një fillim më pak impulsiv, më i sinqertë dhe më afër Zotit.
Përshëndetje për të gjithë ata që kanë mbushur të dyzetat dhe për ata që tashmë i kanë kaluar, ashtu si unë.
Halil Avdulli








