Një tjetër gazetarë vritet në Gaza, numri total i tyre që nga 7 tetori rritet në 138

Një gazetar tjetër palestinez është vrarë në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 138 që nga tetori i kaluar, transmeton Anadolu.

Zyra për media e qeverisë në Rripin e Gazës njoftoi se së fundmi Mohammad Abu Skheli u vra në një bastisje izraelite në spitalin Al-Shifa në qytetin Gaza.

Ushtria izraelite u tërhoq nga objekti i spitalit sot herët pas një bastisje 14-ditore, sipas dëshmitarëve, duke lënë pas dhjetëra të vdekur dhe gjurmë masive shkatërrimi.

Zyra për media e Gazës akuzoi ushtrinë izraelite për vrasjen dhe arrestimin e 700 civilëve palestinezë gjatë bastisjes së saj në kompleksin mjekësor.

Grupi i rezistencës palestineze Hamas akuzoi Izraelin për kryerjen e mizorive gjatë bastisjes në spital.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Që atëherë, të paktën 32.845 palestinezë janë vrarë dhe rreth 75.400 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës së bllokuar në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe së fundmi gjithashtu kërkoi nga Izraeli të marrë masa për të parandaluar urinë në Gaza.