Kanceri i zorrës së trashë, i njohur si kanceri kolorektal, është një ndër format më të zakonshme dhe më vdekjeprurëse të kancerit në botë. Vetëm këtë vit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të shkaktojë gati 53 mijë viktima, raporton “The New York Post”.
Ajo që po i shqetëson gjithnjë e më shumë shkencëtarët është rritja e rasteve te të rinjtë, një fenomen për të cilin ende nuk ka një shpjegim të qartë shkencor.
Edhe pse kontrollet e hershme mund të duken të pakëndshme, ato janë jetëshpëtuese, sepse ndihmojnë në zbulimin dhe trajtimin më të hershëm dhe efektiv të sëmundjes. Aktualisht, Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së (USPSTF) rekomandon që kontrollet për kancer kolorektal të nisin nga mosha 45 deri në 75 vjeç.
Por një studim i ri nga Tajvani po ndryshon këtë qasje. Sipas tij, nisja e kontrolleve që në moshën 40-vjeçare mund të ulë rastet me kancer kolorektal me 21 për qind, si dhe të zvogëlojë rrezikun e vdekjes me 39 për qind, krahasuar me ata që nisin kontrollet në moshën 50 vjeçare.
“Rezultatet tona ofrojnë mbështetje të fortë që mosha për fillimin e kontrollit për kancerin kolorektal të ulet, duke pasur ndikime të mëdha për shëndetin publik”, thuhet në raportin e publikuar në JAMA Oncology.
Në këtë studim u përdor testi imunokimik fekal (FIT) – një test i thjeshtë që mund të bëhet në shtëpi dhe që zbulon gjak të fshehur në jashtëqitje, shenjë që mund të tregojë për praninë e rritjeve jonormale në zorrë apo rektum.
Në studim morën pjesë gati 40,000 persona të grupmoshës 40-49 vjeç, të cilët iu nënshtruan kontrolleve të rregullta, ndërsa rreth 225,000 persona të moshës 50-59 vjeç ndoqën programin standard të kontrollit.
Te grupi që nisi kontrollet më herët, u raportuan 26.1 raste për 100,000 banorë në vit, ndërsa në grupin tjetër, 42.6 raste për 100,000 banorë në vit.
Studiuesit theksuan se kontrollet e hershme mund të jenë zgjidhje efektive për uljen e vdekshmërisë, por paralajmëruan se çdo vend duhet të bëjë vlerësim të kujdesshëm të politikave shëndetësore para se të ndryshojë strategjinë e kontrollit.
Në Tajvan, ku kanceri kolorektal është i dyti për nga përhapja, programi kombëtar i kontrollit është zgjeruar për të përfshirë personat 45-74 vjeç, të cilët tani mund të bëjnë falas testin FIT çdo dy vjet. Ndërkohë, ata që janë 40-44 vjeç dhe kanë histori familjare me këtë sëmundje, gjithashtu përfitojnë kontrolle falas.
Në SHBA, që nga viti 2021, mosha e rekomanduar për të nisur kontrollin është ulur nga 50 në 45 vjeç. Testi FIT rekomandohet çdo vit, ndërsa metodat e tjera përfshijnë:
Kolonoskopinë, që përmes një tubi me kamerë ekzaminon zorrën e trashë dhe rektumin;
Kolonografinë me CT, që përdor rreze X dhe kompjuter;
Sigmoidoskopinë fleksibël, një alternativë më pak invazive.
Për ata me histori familjare të kancerit kolorektal, rekomandohet fillimi i kontrolleve edhe më herët dhe në intervale më të shpeshta.
Në SHBA, Medicare Part B mbulon testin FIT çdo vit për personat 45 vjeç e lart, dhe në rast se testi rezulton pozitiv, mbulon gjithashtu edhe kolonoskopinë e radhës – një ndryshim i bërë që nga viti 2023.








