Njëri nga të arrestuarit nga radhët e turqve është deportuar gabimisht?

Mediat kosovare raportojnë se njëri nga të arrestuarit nga radhët e turqve është deportuar gabimisht.

Koha Ditore raporton se njëri prej tyre, nuk ishte personi që ishte kërkuar nga shteti i Turqisë.

Leje-qëndrimi, sikur edhe 5 shtetasve të tjerë turq, i ishte revokuar edhe Hasan Husein Demir, e po ashtu për të njëjtin person ishte nxjerrë urdhër për largim me forcë.

Policia dhe AKI-ja, kishin marrë një person tjetër me emrin Hasan Husein Gunakan.

Megjithëse policia kishte ngritur shqetësime se kanë marrë njeriun e gabuar, AKI-ja, siç raporton Koha Ditore, kishte urdhëruar që i njëjti t’i dorëzohej Turqisë, bashkë me pesë të tjerët.

Në momentin e arrestimit, Gunakan ishte në shkollën në Gjakovë, ndërsa në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kishte refuzuar të nënshkruajë urdhrin për largim me forcë, duke i bërë të ditur zyrtarit policor se nuk ishte personi në fjalë.

Hasan Husein Demir, vazhdon të mbetet në Kosovë ndërsa siç raporton Koha Ditore, ai tani nga frika se mund të ekstradohet, ka aplikuar për azil bashkë me familjen e tij.