Normalizimi i abnormales dhe abnormalizimi i normales

Ardian Ramadani

Prania e oligarkëve, madje-madje shfaqja e tyre nëpër tubime politike, prania e tyre nëpër vende të kultit, faltore, pranimi i tyre në shoqëri si ”njerëz të aftë e të gjindshëm” shpërfaq shpërfytyrimin e vlerave njerëzore e morale. Në vend të denigrimit dhe anatemimit të tyre, ata lavdërohen e, bile-bile, edhe merren si model ndjekjeje.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Pamë e çfarë nuk pamë. Përjetuam e çfarë nuk përjetuam. Tërë kjo do të ishte e falshme sikur të merrte fund njëherë e përgjithmonë epoka e tranzicionit edhe në këtë nënqiell, tranzicion ky që po gëlltit fate njerëzish e kombesh.

Pas ardhjes së pseudodemokracisë se shoqëruar edhe me kakistokraci, në Ballkanin Perëndimor korrupsioni në vend se të ishte dukuri e rrallë, që do të (duhej të) luftohej me mish e me shpirt nga të gjitha institucionet, duket se po e gëzon pikërisht miklimin dhe kultivimin institucional.

Vendet në listën e pritjes së BE-së, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, nuk kanë arritur të tregojnë përparim të vërtetë në uljen e korrupsionit dhe përmirësimin e demokracisë, si një parakusht themelor për anëtarësimin në BE. Është ky refreni patetizues që e dëgjojmë vazhdimisht në veshët tanë nga të gjithë. Po ashtu, edhe nga ana e burokracisë europiane e perëndimore. Ky refren, pjesë edhe e raporteve të ndryshme, që hartohen nga institucione të ndryshme e të cilët e monitorojnë shkallën e korrupsionit në këto vende, është shndërruar në diçka krejtësisht normale dhe të zakonshme. Në njërën anë, ata që janë përgjegjës për përpilimin e këtyre raporteve e arsyetojnë punën e tyre, ndërsa në anën tjetër politikanët, që janë përgjegjës për qeverisje, trumbetojnë vazhdimisht për angazhimin dhe zotimin e tyre për luftimin e kësaj dukurie shëmtuese.

Sipas EURACTIV-it (faqe interneti lajmesh pan-europiane e specializuar në politikat e BE-së, e themeluar në vitin 1999 nga botuesi francez i medias, Christophe Leclercq) pasqyra e luftës kundër korrupsionit në këto vende është jo e kënaqshme, ndërsa rezultatet nuk janë aspak mbresëlënëse. Në të gjitha këto shtete dëshmohet pak progres në dekadën e fundit dhe çështje të veçanta të ngritura vazhdimisht gjatë viteve përfshijnë kapjen e shtetit, dhunën policore, korrupsionin e nivelit të lartë dhe një sistem të dobët kontrollesh dhe balancash. Pra, theksohet prania e korrupsionit në nivele të larta. Niveli i lartë dihet se çfarë përfaqëson.

Po ashtu, mendime, pak a shumë të ngjashme, kanë edhe Transparency International, Freedom House dhe Reporterët pa Kufij. Institucionet e BE-së, përfshirë Komisionin Europian, pranojnë se mbetet shumë për të bërë këto shtete në luftën kundër korrupsionit. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2022 (CPI) tregon se shumica e vendeve po dështojnë ta ndalojnë korrupsionin. Gjendja në vendet e Ballkanit Perëndimor është vajtuese.

Është edhe më e dhimbshme fakti se kjo gjendje me korrupsionin është tejet e rëndë në arealin shqiptar. Prania e oligarkëve, madje-madje shfaqja e tyre nëpër tubime politike, prania e tyre nëpër vende të kultit, faltore, pranimi i tyre në shoqëri si ”njerëz të aftë e të gjindshëm” shpërfaq shpërfytyrimin e vlerave njerëzore e morale. Në vend të denigrimit dhe anatemimit të tyre, ata lavdërohen e, bile-bile, edhe merren si model ndjekjeje. Ky normalizim i abnormales është alarm që vë në pikëpyetje ekzistimin e moralit njerëzor në shoqërinë tonë. Dëshmon po ashtu edhe atë se, në një vend, sa më tepër të flitet për luftën kundër korrupsionit, aq më shumë aty gëlon ai.

Rishtazi, në Maqedoninë e Veriut, në emër të Bashkimit Europian dhe vlerave të kësaj organizate, u miratua ligji i cili ul dënimet për ata që kanë kryer dhe që do të kryejnë vepra korruptive në të ardhmen. Megjithëse ky miratim u servua si vlerë europiane, madje edhe sikur të ishte i tillë nuk do të duhej të sillej (sepse kemi paraprakisht shumë gjëra europiane për të miratuar), ai dëshmon për të satën herë me radhë se në këtë nënqiell mjafton të jesh me petkun e politikanit e funksionarit dhe duart i ke të lira për gjithçka, sepse ke imunitet. Madje, të garantuar me ligj, nga institucionet. E institucionet do të duhej të ishin garancia e qeverisjes së një populli të lirë kundër korrupsionit të moralit dhe garancia e popullit dhe qytetarit kundër korrupsionit të pushtetit.

Në anën tjetër, përmes kurdisjeve gjyqësore parapolitike e politike, po vazhdojnë vuajtjet e të burgosurve, që nuk po e shohin dritën me sy pa pasur pikë faji e pa e ditur se pse gjenden në burgje, ku kushtet janë të mjerueshme.

Vdekjet e personave nëpër burgje, të cilët nuk e mësuan kurrë se pse ishin në burg, e që ndaj tyre nuk u garantua asnjëherë një gjykim i drejtë dhe adekuat, futja e tyre nëpër burgje me dëshmitarë të fshehur, është varrmihëse për shpresën e europianizimit të mirëfilltë të këtij nënqielli.

Edhe më varrmihëse për shpresën e Homo Balkanicusit dhe Homo Albanicusit është përpjekja për të përligjur veprimet e funksionarëve të korruptuar. Normalizimi i diçkaje abnormale, qoftë kjo kur përpiqet të na shitet edhe si vlerë që bëhet në emër të një përparimi, është edhe më fyese. Duhet një reagim i qartë e troç i përfaqësuesve europianë, pa ambiguitete… Sepse, korrupsioni, si dhe mosndëshkimi i tij, kudo që është, është fëlliqje, është mungesë e dinjitetit, është mungesë e skrupujve, është shfrytëzim i njerëzve të pambrojtur. Është antivlerë, fillimisht njerëzore, e së këndejmi edhe europiane.

Antoan Rivarol, shkrimtar dhe përkthyes mbretëror francez, që jetoi gjatë epokës revolucionare, në një rast e kishte përkufizuar shumë mprehtë këtë fenomen shëmtues. Ai kishte thënë: “Ndryshimi midis korrupsionit dhe barbarizmit: njëri është më pjellor në vese dhe tjetri në krime”. /revistashenja