Nuk dolën kurrë në punë, Qeveria dha afro një milion euro për paga të ish-pjesëtarëve të strukturave paralele serbe

199 pjesëtarë të strukturave ilegale të së ashtuquajturës “Mbrojtja civile” nga komuniteti serb morën 962,646 euro paga pa shkuar ndonjëherë në punë. Të njëjtit ishin angazhuar me Marrëveshjen e Brukselit.

Kështu bën të ditur raporti vjetor i Auditimit për buxhetin e vitit të kaluar, raporton lajmi.net.

“Gjatë vitit 2021, Qeveria kishte realizuar pagesa në vlerë prej 962,646€ për 199 punonjës (të komunitetit serb të angazhuar me Marrëveshjen e Brukselit) të cilët nuk evidentohen për vijueshmëri në punë dhe nuk zhvillojnë aktivitete në kuadër të Ministrive përkatëse”, thuhet në raportin e auditimit.

Më 2015-ën, Qeveria e Kosovës ishte marrë vendim për shpërbërjen e së ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, e cila ka funksionuar në katër komunat veriore të Kosovës.

Mirëpo, siç njofton raporti “Ministritë përkatëse i kanë vendos në listen e pagave këtë kategori të punonjësve para krijimit të kushteve/hapësirave fizike për punë, sistemim, angazhim dhe monitorim të tyre, që i bënë këto pagesa të parregullta”.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte numrin më të madh të stafit të paguar nga e ashtuquajtura “Mbrojtja Civile”.