Nuk ka sigurime shëndetësore, pa u ndryshuar Ligji

Qytetarët e Kosovës edhe për një kohë të pacaktuar mbesin pa sigurim shëndetësor. Mbledhja e premiumeve, pas shumë shtyrjeve, edhe në korrik nuk filloi.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, kjo shtyrje erdhi ngase ligji për sigurimet shëndetësore u dërgua për plotësim-ndryshim.

“Para se të binte Qeveria dhe të shpërbëhej Kuvendi, Ministria e shëndetësisë kishte dërguar Ligjin për sigurime shëndetësore në Kuvend, për disa ndryshime të vogla, por të cilat janë të rëndësishme që të mund të fillojë mbledhja e premiumeve për sigurimin e obliguar shëndetësor. Kështu që, është e kuptueshme që do të ketë shtyrje të procesit”.

Zëdhënësi Hoti, i tha Radio Kosovës se akoma nuk dihet se kur do të fillojë procesi i sigurimeve shëndetësore.

Sipas tij, për shtyrjen e fillimit të sigurimeve shëndetësore kishte kërkesa nga përfaqësuesit e bizneseve dhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.

“Kishte disa kërkesa nga disa organizata joqeveritare, nga Oda Ekonomike Amerikane, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, që kërkonin që për një kohë të shtyhet fillimi i këtij procesi. Ata i kishin disa rezerva rreth këtij procesi. Ndërsa vendimin se kur do të fillojë mbledhja e premiumeve, do ta marrë qeveria e re”.

E Besim Kadrija, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, tregon për Radio Kosovën disa nga arsyet se pse kjo shoqatë kishte kërkuar shtyrjen e fillimit të mbledhjes se premiumeve shëndetësore.

“Ligji si ligj, ka shumë mangësi. Mungojnë një varg i madh i rregulloreve dhe akteve administrative, që ndihmojnë në funksionalizimin e këtij fondi. Të gjitha këto e bëjnë të pasiguritë mbledhjen e premiumeve për sigurime shëndetësore”.

Pas dështimit edhe të një korrikut si datë e fillimit të mbledhjes së premiumeve, tani Ministria e Shëndetësisë, paralajmëron se një datë e re do të caktohet nga qeveria e re.