Nuk kalon projektrezoluta e PDK-së për çmimin dhe faturimin e rrymës

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme ka dështuar të miratojë Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Për këtë rezolutë kanë votuar 29 deputetë, asnjë nuk ka votuar kundër, ndërkohë që 55 kanë abstenuar.

Rezoluta e propozuar nga PDK-ja është mbështetur nga e gjithë opozita, por jo nga edhe ligjvënësit e pushtetit.

Në këtë projektrezolutë i është rekomanduar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin, përkatësisht heqjen e blloktarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

Gjithashtu ZRRE-së i është rekomanduar të ndërmarrë masa në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024.

Rezoluta do të obligonte Qeverinë për të marrë masa, veprime e vendime për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.