OBSH do të riemërtojë virusin e lisë së majmunëve në “Mpox”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur se kanë vendosur që virusin e lisë së majmunit (Monkeypox), i cili është përhapur në nivel global, veçanërisht në Evropë, ta emërtojnë si “Mpox” për të qëndruar larg gjuhës raciste dhe stigmatizuese, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën me shkrim të organizatës, njoftohet se pas një periudhe të shkëmbimit të ideve me ekspertë ndërkombëtarë të shëndetësisë për ndryshimin e emrit të virusit, shtetet anëtare do të këshillohen që lija e majmunit të emërtohet si Mpox.

Thuhet se Mpox do të rekomandohet si “emri i preferuar” gjatë periudhës njëvjeçare të tranzicionit të nisur për ndryshimin e emrit dhe do të përdoret vazhdimisht më pas.

E njohur si një nga sëmundjet e rralla të shkaktuara nga një virus endemik, në trupin e njeriut lija e majmunëve u zbulua për herë të parë në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos.

Pasi u zbulua te majmunët në vitin 1958, virusi u quajt “lija e majmunit”.