OBSH: Evropa ”armëpushim” me koronavirusin, çka mund të nënkuptojë fundin e pandemisë

Dy vjet pas shpërthimit të Covid-19, Evropa së shpejti mund të hyjë në një periudhë të gjatë qetësie për shkak të shkallës së lartë të vaksinimit, variantit më të butë Omicron dhe fundit të dimrit, tha sot OBSH, sipas AP.

“Kjo periudhë e mbrojtjes më të lartë duhet të shihet si një armëpushim që mund të na sjellë paqe të qëndrueshme”, u tha gazetarëve drejtori i OBSH-së për EvropëN, Hans Kluge.

“Ky kontekst, që nuk e kemi përjetuar deri më tani në këtë pandemi, na lë mundësinë për një periudhë të gjatë qetësie”, shtoi ai.

”Evropa do të ishte gjithashtu në një pozicion më të mirë për të shmangur çdo riaktivizim të transmetimit, madje edhe me një variant më virulent se Omicron”, shtoi ai.

Megjithatë, ai paralajmëroi se skenari optimist do të ishte i vërtetë vetëm nëse vendet do të vazhdonin fushatat e tyre të vaksinimit dhe do të intensifikonin mbikëqyrjen për të zbuluar variante të reja.

Ai u kërkoi gjithashtu autoriteteve shëndetësore të mbrojnë grupet e rrezikut dhe të promovojnë përgjegjësinë individuale.

Me variantin më ngjitës Omicron në qarkullim, infeksionet janë rritur në të gjithë rajonin evropian të OBSH-së, i cili përfshin 53 vende, duke përfshirë disa në Azinë Qendrore.

Rreth 12 milionë raste të reja u regjistruan javën e kaluar në rajon, sipas OBSH-së, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë. /atsh