OBSH miraton për përdorim emergjent vaksinën Covaxin të prodhuar në Indi

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën Covaxin të prodhuar kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Indi nga kompania bioteknologjike Bharat Biotech, transmeton Anadolu Agency (AA).

OBSH njoftoi se sot u mblodh Grupi Teknik Këshillues i përbërë nga ekspertë nga e gjithë bota, ku u miratua vendimi që vaksina Covaxin përmbush standardet e OBSH-së për mbrojtjen kundër COVID-19, se dobitë e vaksinës janë më të mëdha se rreziqet dhe se ajo mund të përdoret.

Grupi Këshillues i Ekspertëve Strategjikë (SAGE), i cili kryen këshillimet në organizatë për përdorimin e vaksinave COVID-19, shqyrtoi të dhënat aktuale lidhur me vaksinën dhe rekomandoi që Covaxin të përdoret në dy doza për katër javë për të gjithë grup moshat mbi 18-vjeç.

Në njoftim theksohet se Covaxin 14 ditë pas dozës së dytë është 78 për qind efektive kundër COVID-19 dhe se është një vaksinë jashtëzakonisht e përshtatshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në aspektin e ruajtjes së lehtë të saj.

Me këtë vendim, OBSH ka dhënë miratimin për përdorim emergjent të vaksinës së tetë kundër COVID-19.

OBSH fillimisht më 31 dhjetor miratoi për përdorim emergjent vaksinën e prodhuar nga Pfizer-BioNTech, më pas vaksinën e Oxford-AstraZeneca, vaksinën e prodhuar nga Instituti i Serumeve të Indisë (SII), prodhuesi i AstraZeneca, si dhe ato nga Moderna, Janssen dhe nga kompania kineze Sinopharm.

Së fundmi, organizata më 1 qershor miratoi për përdorim emergjent edhe vaksinën e re Sinovac të zhvilluar nga Kina, e cila përdoret edhe në Turqi. /aa