Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OJQ-të britanike bëjnë thirrje për pezullim të plotë të shitjes së armëve...

OJQ-të britanike bëjnë thirrje për pezullim të plotë të shitjes së armëve ndaj Izraelit

Dhjetëra organizata joqeveritare britanike kanë bërë thirrje për pezullimin e plotë të shitjes së armëve nga Mbretëria e Bashkuar drejt Izraelit, duke paralajmëruar se çdo rifillim i eksporteve do ta bënte Londrën bashkëpërgjegjëse për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare.

Thirrja vjen pasi një ministër britanik sinjalizoi se qeveria mund të rifillojë (ç’pezullojë) shitjet e armëve ndaj Izraelit, një hap që ka ngjallur reagime të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe shoqëria civile.

OJQ-të theksojnë se provat e shumta mbi vrasjet e civilëve, shkatërrimin masiv dhe krizën humanitare në Gaza kërkojnë jo vetëm ruajtjen e pezullimit aktual, por ndalimin e plotë dhe pa kushte të çdo eksporte armësh. Sipas tyre, Mbretëria e Bashkuar ka detyrime ligjore sipas Traktatit për Tregtinë e Armëve dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare për të mos autorizuar shitje kur ekziston rreziku i përdorimit të armëve kundër civilëve.

Organizatat kanë kërkuar gjithashtu transparencë të plotë mbi licencat ekzistuese dhe një rishikim të pavarur të politikës së eksportit të armëve, duke paralajmëruar se rifillimi i shitjeve do të minonte besueshmërinë e Britanisë në fushën e të drejtave të njeriut.

Qeveria britanike, nga ana e saj, ka deklaruar se çdo vendim do të merret në përputhje me vlerësime ligjore dhe të sigurisë, por nuk ka dhënë ende një qëndrim përfundimtar lidhur me rifillimin e plotë të eksporteve. /mesazhi