OKB: Aksidentet rrugore një pandemi

Vdekjet nga aksidentet rrugore në mbarë botën vazhdojnë të jenë një pandemi, deklaroi Jean Todt, i dërguari i posaçëm i OKB-së për sigurinë rrugore, në raportin e fundit për vdekjet në rrugë, të hartuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Nëse të dhënat zbulojnë një rënie të lehtë (-5%) të viktimave në rrugë, progresi vlerësohet i pamjaftueshëm nga OKB-ja, e cila kujton se me më shumë se dy vdekje në minutë, aksidentet rrugore mbeten shkaku kryesor i vdekjeve tek fëmijët dhe të rinjtë e moshës 5-29 vjeç.

Numri vjetor i viktimave është mbi një milion.

”Numri tragjik i vdekjeve nga aksidentet rrugore po zvogëlohet, por jo mjaftueshëm”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sipas Jean Todt, ish-bashkëdrejtues francez i garës dhe drejtues i ekipit të Formula 1 të Ferrarit, ”rezultatet janë inkurajuese, por rënia e numrit të vdekjeve është e pamjaftueshme”.

Përveç pasojave dramatike për familjet e viktimave dhe kostos astronomike për shoqërinë, e vlerësuar në 1 800 miliardë dollarë sipas OBSH-së, raporti zbulon gjithashtu se nëntë nga 10 vdekje ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe se rreziku i vdekjes është tre herë më i lartë në vendet me të ardhura të ulëta që zotërojnë vetëm 1% të automjeteve të botës.

Kjo është shkaktuar nga vjetërsimi i flotës së makinave, aksesi shumë i lehtë në leje drejtimi ose mungesa e zbatimit të ligjeve. /atsh