OKB-ja tha të hënën se Izraeli pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, ka mohuar ose penguar pothuajse gjysmën e lëvizjeve të koordinuara të ndihmës humanitare brenda Rripit të Gazës, me vetëm pak më shumë se gjysmën e lehtësuar plotësisht gjatë një periudhe gjashtëditore, transmeton Anadolu.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric paralajmëroi gjatë një konference për mediat se “operacionet humanitare vazhdojnë të përballen me pengesa të konsiderueshme”.
“Dërgesat nga Jordania janë të kufizuara në një rrugë që kërkon pika të shumëfishta shkarkimi dhe ringarkimi”, tha ai duke shtuar se “dërgesat nga Egjipti, nëpërmjet Kerem Shalom/Karem Abu Salem, përballen me norma të larta kthimi: pavarësisht një përmirësimi të kohëve të fundit, midis 4 dhe 10 shkurtit, ku më pak se 60 për qind e dërgesave nga Egjipti mund të shkarkoheshin në atë pikë kalimi”.
Dujarric theksoi se “në Gaza lëvizjet humanitare që kërkojnë koordinim me autoritetet izraelite gjithashtu vazhdojnë të përballen me pengesa”.
“Nga gati 50 lëvizje të tilla të koordinuara midis 6 dhe 11 shkurtit, vetëm gjysma e tyre u lehtësuan plotësisht”, tha ai duke shtuar se “pesë u refuzuan menjëherë dhe 11 u miratuan, por hasën vonesa të konsiderueshme dhe pengesa të tjera, përfshirë dy që u përmbushën vetëm pjesërisht si rezultat”.
“Dhe vetëm sot, patëm dy refuzime të tjera”, tha Dujarric.
Ai tha se ekipet e OKB-së në terren kanë vazhduar diskutimet me Izraelin për të “sqaruar kufizimet dhe për të kërkuar zgjidhjen e tyre”.
Një marrëveshje armëpushimi e mbështetur nga SHBA-ja ka qenë në fuqi në Gaza që nga 10 tetori, duke ndaluar luftën dyvjeçare të Izraelit që ka vrarë më shumë se 72 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë që nga tetori 2023.
Që kur marrëveshja hyri në fuqi më 10 tetor, forcat izraelite kanë kryer qindra shkelje përmes granatimeve dhe të shtënave me armë zjarri, duke vrarë 603 palestinezë dhe duke plagosur 1.618 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

