OKB-ja akordon 40 milionë dollarë nga fondi i urgjencës për Etiopinë

Martin Griffiths

Zëvendës sekretari i përgjithshëm për cështjet humanitare dhe koordinatori i OKB-së për ndihma emergjente, Martin Griffiths tha se do të ndahen 40 milionë dollarë për të ofruar ndihmë humanitare për civilët në Etiopi, ku vazhdojnë përleshjet midis njësive të ushtrisë dhe Frontit Popullor Çlirimtar rebel Tigray (TPLF), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media pas vizitës së tij në Etiopi, Griffiths tha se 25 milionë dollarë nga Fondi Qendror i Emergjencave të OKB-së (CERF) dhe 15 milionë dollarë nga Fondi Etiopian i Ndihmës Humanitare (EHF), organizata e ndihmës e OKB-së në vend, janë ndarë për t’u përdorur në ndihmën emergjente për civilët e prekur nga konflikti në vend.

Ai tha se fondi i ndihmës do të përdoret kryesisht për civilët në rajonet e prekura nga konfliktet në veri të vendit. Griffiths theksoi se ata do të ofrojnë ndihmë për qytetarët që janë prekur negativisht nga thatësira në jug të Etiopisë.

Sipas tij, miliona njerëz në veri të Etiopisë jetojnë në kushte të vështira në këtë kohë të krizës së thelluar.

Duke deklaruar se nevoja për ndihmë humanitare në të gjithë vendin po rritet dita ditës, Griffiths tha se “ndarja e fondeve të OKB-së do të jetë e rëndësishme në dhënien e ndihmës për civilët në nevojë”.

Më shumë se 5 milionë njerëz në rajon kanë nevojë për ndihmë urgjente

Qeveria etiopiane shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në vend më 2 nëntor për shkak të sulmeve rebele TPLF që vazhduan avancimin e tyre në jug.

Në vend u krijuan forcat e mbrojtjes kundër sulmeve të mundshme nga TPLF në kryeqytetin Addis Abeba.

Më shumë se një vit konflikti në veri të vendit ka zhvendosur afro 2.5 milionë njerëz, në rajon më shumë se 5 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente. /aa