Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka paralajmëruar se stuhia Byron ka përkeqësuar më tej kushtet tashmë të këqija të jetesës për mijëra njerëz të zhvendosur në Rripin e Gazës, shumë prej të cilëve janë strehuar në tenda ose ndërtesa të dëmtuara, transmeton Anadolu.
UNRWA-ja në rrjetet sociale tha se stuhia ka intensifikuar rreziqet për familjet që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi moti i keq godet strehimoret e mbipopulluara dhe të pasigurta.
“Stuhia Byron po përkeqëson kushtet tashmë të këqija të jetesës së mijëra njerëzve që jetojnë në tenda ose strehimore të dëmtuara”, tha agjencia e OKB-së.
UNRWA tha se teksa vazhdon përpjekjet për të mbështetur familjet e zhvendosura, autoritetet izraelite për muaj të tërë e kanë bllokuar agjencinë nga sjellja e drejtpërdrejtë e ndihmës humanitare në Gaza, duke kufizuar shkallën e ndihmës që mund të arrijë tek ata që kanë nevojë.
Agjencia tha se shumë njerëz kanë vdekur pasi ndërtesat e dëmtuara u shembën aty ku familjet strehoheshin, si dhe shumë fëmijë për shkak të ekspozimit ndaj të ftohtit.
“Kjo duhet të ndalet”, tha UNRWA, duke bërë thirrje për qasje të menjëhershëm dhe të papenguar për ndihmë humanitare.
“Ndihma duhet të lejohet në shkallë të gjerë, tani”, theksoi agjencia.
Që nga java e kaluar, mijëra tenda që strehonin të mbijetuarit e luftës së Izraelit janë shndërruar në pellgje uji, duke lagur shtretërit, veshmbathjet dhe furnizimet ushqimore dhe duke lënë qindra familje palestineze të ekspozuara ndaj të ftohtit.
Rripi i Gazës, tha zyra për media e qeverisë në enklavë, ka nevojë për rreth 300 mijë tenda dhe njësi banimi të parafabrikuara për të përmbushur nevojat më themelore të strehimit të palestinezëve pas shkatërrimit të infrastrukturës së enklavës në dy vjet sulmesh izraelite.
Lufta dyvjeçare e Izraelit në Gaza vrau më shumë se 70 mijë palestinezë dhe shkatërroi enklavën. Sulmi u ndal sipas një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi që hyri në fuqi në tetor.
Kryeministri izraelit kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Këtë javë, dhoma e apelit e GJPN-së hodhi poshtë kërkesën ligjore të Izraelit që kërkonte të bllokonte një hetim mbi veprimet e tij në luftën gjenocidale në territorin palestinez.

