OKB: Më shumë se 660.000 njerëz janë larguar nga Ukraina

“Me këtë ritëm, situata duket se do të bëhet kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë këtë shekull dhe UNHCR po mobilizon burimet për t’u përgjigjur sa më shpejt dhe me efektivitet të jetë e mundur”, tha zëdhënësja e UNHCR-së Shabia Mantoo

Më shumë se 660.000 refugjatë janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje në gjashtë ditët e fundit, sipas të dhënave më të fundit të qeverisë të përpiluara nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me këtë ritëm, situata duket se do të bëhet kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë këtë shekull dhe UNHCR po mobilizon burimet për t’u përgjigjur sa më shpejt dhe me efektivitet të jetë e mundur”, tha zëdhënësja e UNHCR-së, Shabia Mantoo, në një konferencë shtypi në Gjenevë.

“Të gjitha vendet fqinje deri më sot në mënyrë të lavdërueshme i kanë mbajtur kufijtë e tyre të hapur për refugjatët që ikin nga Ukraina. Shumica kanë ikur në Poloni, Hungari, Moldavi, Rumani, Sllovaki, ndërsa të tjerët janë zhvendosur drejt vendeve të tjera evropiane”, shtoi ajo.

Mantoo tha se OKB-ja është gjithashtu e vetëdijshme se një numër i konsiderueshëm njerëzish janë shpërngulur në Rusi.

“Autoritetet kombëtare po marrin përgjegjësinë për regjistrimin, pritjen, akomodimin dhe mbrojtjen e këtyre refugjatëve”, shtoi ajo.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në ditën e gjashtë, me forcat ruse që përparojnë drejt Kievit.

Lufta është pritur me zemërim nga komuniteti ndërkombëtar, me BE-në, Britaninë dhe SHBA-në që zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike kundër Rusisë. /aa