OKB: Një mjedis i pastër dhe i shëndetshëm është një e drejtë e njeriut

Projektrezoluta që përcakton se “qasja në një mjedis” të pastër dhe të shëndetshëm “është një e drejtë e njeriut” u pranua me shumicë votash në sesionin e 48-të të Këshillit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut.

Në sesionin e mbajtur në Zyrat e OKB-së në Gjenevë, 43 shtete anëtare votuan pro projektrezolutës së paraqitur nga Kosta-Rika, Maldivet, Maroku, Sllovenia dhe Zvicra, ndërsa Rusia, India, Kina dhe Japonia abstenuan.

Sipasmocionit të miratuar me shumicë votash nga Këshilli 47-anëtarësh, “një mjedis i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm është një e drejtë e njeriut”.

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, në një deklaratë të shkruar të lëshuar pas sesionit u shpreh se ajo është shumë e kënaqur me miratimin e projektrezolutës.

Duke vënë në dukje se kjo është hera e parë që Këshilli merr një vendim të tillë Bachelet tha:

“Ky vendim nënkupton mbrojtjen e njerëzve, planetit tonë, ajrin që ne thithim, ujin që pimë dhe ushqimin që hamë.”

Bachelet u kërkoi vendeve të botës që të vënë në praktikë vendimin e marrë dhe deklaroi:

“Ne duhet ta zhvillojmë këtë impuls për të shkuar përtej dallimit të gabuar midis veprimeve për mbrojtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Është e qartë se të dy objektivat nuk mund të arrihen në mënyrë të ndarë nga njëri-tjetri.” /trt