OKB: Nuk mund të sigurojmë më ndihma humanitare në Gaza

Philippe Lazzarini

Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini tha se nuk mund të sigurojnë më ndihma humanitare në Gaza, transmeton Anadolu.

Në një konferencë për media, Lazzarini tha se në Gaza nuk ka ujë, energji elektrike dhe karburant. “Tashmë kolegët e mi të UNRWA-së nuk mund të sigurojnë më ndihmë mjekësore për njerëzit në Gaza”, tha ai.

“Numri i njerëzve që kërkojnë të strehohen në shkollat dhe objektet e tjera të UNRWA-së është shumë i madh dhe tashmë nuk kemi kapacitete për t’i përballuar këto”, deklaroi Lazzarini.

Komisioneri i përgjithshëm, Lazzarini tha se së shpejti në rajon nuk do të mbesin as ushqim e as ilaçe.

Para luftës Gaza prej 16 vitesh ndodhej nën bllokadë dhe 60 për qind e popullatës së saj ishte në nevojë për ndihmë ndërkombëtare ushqimore, rikujtoi Lazzarini duke shtuar se “Gaza po mbytet dhe duket se bota ka humbur humanizmin e saj”.

“Nëse në Gaza nuk dërgohen furnizime tani, UNRWA dhe punonjësit e ndihmës nuk do të mund të vazhdojnë operacionet e tyre të ndihmës humanitare”, deklaroi Lazzarini i cili u bëri thirrje të gjitha palëve për hapjen e korridorit të ndihmës humanitare.