OKB: Verilindja e Nigerisë përballet me krizën më të rëndë të urisë në një dekadë

Millions of people have been displaced in northeastern Nigeria by terrorist violence. / AP

Verilindja e Nigerisë po përballet me nivelin më të rëndë të urisë në gati dhjetë vjet, ndërsa shkurtimet e ndihmave humanitare po përkeqësojnë ndjeshëm kequshqyerjen në rajon, paralajmëroi të premten Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP).

Sipas agjencisë, rreth 15 mijë persona në shtetin Borno janë në rrezik të drejtpërdrejtë nga mungesa katastrofike e ushqimit, në një zonë që prej vitesh vuan nga konflikti dhe pasiguria. Në mbarë Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, rreth 55 milionë njerëz përballen me mungesë të rëndë ushqimi, ndërsa më shumë se tre të katërtat e tyre ndodhen në Nigeri, Çad, Kamerun dhe Niger.

WFP thekson se konfliktet e armatosura, zhvendosjet e detyruara dhe presionet ekonomike e kanë nxitur pasigurinë ushqimore prej vitesh, por shkurtimet e fundit të ndihmës humanitare po i shtyjnë komunitetet më të brishta përtej kufijve të mbijetesës.

“Reduktimi i fondeve që pamë në vitin 2025 ka thelluar urinë dhe kequshqyerjen në të gjithë rajonin,” deklaroi Sarah Longford, zëvendësdrejtoreshë rajonale e WFP për Afrikën Perëndimore dhe Qendrore.

Sipas OKB-së, mbi 13 milionë fëmijë në rajon pritet të vuajnë nga kequshqyerja gjatë këtij viti. Vetëm në Nigeri, mungesa e fondeve në vitin 2025 e detyroi WFP-në të shkurtojë programet ushqimore, duke prekur më shumë se 300 mijë fëmijë. Agjencia kishte paralajmëruar se gati 35 milionë persona rrezikonin të mbeteshin pa ushqim, pasi fondet e saj po shteronin.

Situata mbetet kritike edhe në vende të tjera të rajonit. Në Mali, pasiguria ka ndërprerë rrugët e furnizimit me ushqim, duke lënë rreth 1.5 milionë njerëz në nivele krize urie, ndërsa në Kamerun mbi gjysmë milioni persona rrezikojnë të mbeten pa ndihmë humanitare në javët në vijim.

Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se ka nevojë për më shumë se 453 milionë dollarë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për të vazhduar ofrimin e ndihmës humanitare në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore. /mesazhi