Optika e të tjerëve

Nuridin Ahmeti

Duke shfletuar literaturën të cilën e kemi në dispozicion deri me sot dhe disa dokumente të kohës për jetën dhe veprimtarinë e Hasan Kaleshit, mund të thuhet se ishte njëri nga studiuesit më prodhimtarë të kohës së tij, posaçërisht për periudhën osmane te shqiptarët. Punimet e shkruara nga ai, disa të përkthyera në disa gjuhë botërore, edhe sot e kësaj dite mbesin referencë për studiuesit e vendit dhe ata të huaj.

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Në muajin mars të këtij vitit bëhen 100 vjet nga lindja e studiuesit të njohur të orientalistikës nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Hasan Kaleshi. Ky kontribut shkrimor modest, vjen edhe si një lloj përkujtimi në përvjetorin e 100-të të lindjes së këtij studiuesi, kontributi shkencor i të cilit i kaloi kufijtë e Jugosllavisë së atëhershme.

Nga të dhënat biografike të studiuesit Hasan Kaleshi, shohim se ai ka lindur më 7 mars të vitit 1922 në fshatin Serbicë të Kërçovës. Mësimet e para i mori nga i ati, alimi i njohur Ahmet ef. Kaleshi, i cili ishte një personalitet i respektueshëm i asaj ane. Mbase, babai ka pasur edhe ndikim që i biri i tij t’i vazhdojë studimet e mëvonshme nga fusha e orientalistikës. Pas përfundimit të shkollimit fillor në vendlindje, Hasan Kaleshi mësimet i vazhdon në Medresenë Mbreti Aleksandër” në Shkup dhe i përfundoi në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Më 1951 i përfundoi studimet nga fusha e orientalistikës në Universitetin e Beogradit, ndërsa po atë fakultet dhe degë më 1960 i përfundon edhe studimet doktoratës. Ka punuar në degën e Orientalistikës në Universitetin e Beogradit, të Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, të Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ka qenë themelues dhe ligjërues i degës së Orientalistikës në Universitetin e Prishtinës etj. Ndërroi jetë, në Prishtinë, më 19 korrik të vitit 1976. Si njohës i disa gjuhëve të Lindjes dhe Perëndimit, ky studiues publikoi edhe shkrime të shumta në këto gjuhë. Periudha osmane te shqiptarët ishte fokusi i studimeve të tij.

Deri me sot, për këtë studiues janë shkruar mjaftë kontribute shkrimore për jetën dhe veprimtarinë e tij. Edhe në këtë punim synojmë t’i bëjmë një vështrim figurës së këtij studiuesi, parë nga prizmi i studiuesve dhe dashamirëve të tjerë të dijes, sepse “mendimi i disa njerëzve (studiuesve N.A) ndaj në personi është më i vlefshëm se mendimi e një njeriu për një person”, – thoshin latinët e vjetër.

 

Studiuesit ndërkombëtare

 

Me rastin e vdekjes së Hasan Kaleshit, studiuesi dhe albanologu i njohur gjerman, Peter Bartl, në revistën “Shejzat” (1978), në një shkrim përkujtimor, mes tjerash shkruan: “Kaleshi mbrojti tezën, edhe pse për shumë të tjerë ishte tezë provokuese, se turqit ishin ata që shpëtuan asgjësimin etnik të shqiptarëve nga sllavizmi dhe greqizmi. Teza e Kaleshit ishte qëllimisht formulim rigoroz, mbase ai pikësynonte të ngjallte polemikë ndaj mendimit të pashmangshëm që mbretëronte në Institutin për Europën Juglindore për sundimin turk, mbi periudhën e errët kohore e shtypjes së popujve… Ai krenohej me kontributin e bashkëkombësve të tij dhënë në ndërtimin, ruajtjen dhe gjallë mbajtjen e P.Osmane gjatë 500 viteve të kaluara, e një perandorie, i cili shqiptarëve u ofroi përparim dhe mundësi shpalosjeje. Nga ky vështrim Kaleshi ishte një patriot i madh më shumë se sa mund të kuptonin të tjerët… Përqendrim kryesor në punimet e Kaleshit ishte para se gjithash paraqitja, pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën politike dhe intelektuale gjatë P.Osmane, gjë që bën me dije se, sundimi turk la gjurmë pozitive në jetën intelektuale shqiptare… Ai ishte njëri ndër njohësit më të mirë të letërsisë rilindëse shqiptare. Për të ardhmen kishte plane të mëdha, të cilat pa prezencën dhe kontributin e tij janë pothuajse të parealizueshme. Për Albanologjinë vdekja e tij është një humbje e pa zëvendësuar. Miqtë e tij nga Mynihu jo vetëm që e vajtojnë për një dijetar, por edhe për një njeri, i cili gjendej gjithmonë për çdo vështirësi si shkencore njashtu edhe njerëzore” (Peter Bartl, “Hasan Kaleshi (1922-1976)”, (Përktheu nga gjermanishtja: Albert Ramaj), Südost-Forschungen, nr. 35, Wien, 1976, f. 252-253).

Ndërkaq, në librin e tij “Shqiptarët nga mesjeta deri në ditët tona”, i botuar në gjermanishte në vitin 1995 dhe i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i ribotuar në vitin 2008, Peter Bartl do të shkruajë: “Gjatë rrugës për tek shqiptarët dhe nëpër historinë e tyre autorin e përcollën shumë persona me mbështetjen, këshillat dhe mirëdashjen e tyre, pa të cilët ky punim, me siguri, nuk do të kishte lindur dot: Georg Stadmuller-i, Matrin Camaj, Hans Joachim-i Kissling-u, Ernest Koliqi, Giuseppe Valentini, Hasan Kaleshi dhe Arshi Pipa. Pikërisht atyre, të cilët unë dëshiroj t’i quaj mësues dhe miq të mi, u kushtohet ky libër, si shenjë e vogël e mirënjohjes sime” (Peter Bartl, Shqiptarët nga mesjeta deri në ditët tona, (Pruri në shqip Afrim Koçi), Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë, 2008, f. 11-12).

Ndërkaq për studiuesen e njohur franceze, Nathalie Clayer, studiuesi Hasan Kaleshi ishtenjë historian shqiptar nga Maqedonia, i cili dilte disi nga linja e historiografisë zyrtare jugosllave” (Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, (Përktheu: Artan Puto), Përpjekja, Tiranë, 2009, f. 13)

Në maj të vitit 2012, studiuesi i njohur i historisë së Europës Juglindore, gjatë një ligjërate të mbajtur në Prishtinë, zvicerani Conrad Clewing, mes tjerash do të shprehet: “Hasan Kaleshi, i cili për arsye të ndryshme pak çmohet nga kolegët e tij, para shumë dekadash ka dëshmuar që tregimet popullore apo përrallat shqiptare nuk mund të kuptohen pa konsideruar edhe struktura rrëfyese të tyre në kontekstin osman oriental”. (Conrad Clewing, “Pse shkruhet historia e Europës Juglindore dhe si?”, Koha ditore, Prishtinë, 26 maj 2012, f. 30).

 

Studiuesit dhe dashamirët e dijes ndër shqiptarët

 

Se ishte nga studiuesit që me punën e tij shkencore u njoh edhe në botë, këtë e dëshmojnë edhe konstatimet e disa studiuesve të letrave shqipe, si: Krist Maloki, i cili do të shprehej se në Jugosllavi kohëve të fundit janë katër albanologë me rëndësi që janë bërë të njohur, të cilët në ish-Jugosllavi veprojnë si docentë të universitetit dhe kanë sjellë mjaft publikime të vlefshme: “Orientalisti Hasan Kaleshi; sociologu dhe etnologu Mark Kakariqi; filologu Idriz Ajeti dhe folkloristi Anton Çetta… Njëri nga këta, shqiptari kosovar Dr. Hasan Kaleshi, ishte i pranishëm si referues në konferencën vjeshtore të Shoqërisë së Europës Juglindore 1962” (Prof. Dr. Krist Maloki, ”Kërkimi historik dhe shkrimi historik në dhe rreth Shqipërisë”, (përgatiti, Albert Ramaj www. albanovaonline. com, hulumtuar, më 20.3.2010).

Ndërkaq, Martin Camaj, në nekrologun e shkruar për Hasan Kaleshin në vitin 1978, do të shprehej: “Kaleshi si njeri e shkencëtar pati cilësi të posaçme, për këtë vdiq pa qenë i kuptuem prej rrethit ma të ngushtë…. Shpesh herë ngutja dhe bindja se jemi në rrugë të drejtë na çon në gabim dhe rras të keqe: këtë gabim ngjan se e bajnë të gjithë ata, sidomos ma të rinjtë, që e dënojnë rreptë nji shkencëtar në shej tonin si ishte Kaleshi i cili me ndjesi ishte po aq shqiptar së paku sa secili nesh” (Marin Camaj“Hasan Kaleshi (1922-1976)”, Shejzat, nr. XIX, Romë, 1978, f. 281).

Akademik Idriz Ajeti, përshtypjet e të cilit për Hasan Kaleshin i shënon studiuesi Qemal Murati, në kohën kur Profesor Idrizi ishte drejtor i Institut Albanologjik në Prishtinë. I pyetur nga profesor Qemal Murati se ç’mendim kishte ai për Hasan Kaleshin, Profesori përgjigjet: “Hasan Kaleshi ishte për një kokë mbi të gjithë ne”. (Qemal Murati, Hetime e vjelje për gjuhën shqipe, IAP, Prishtinë, 2012, f. 300).

Etnologu i njohur dhe i parë nga Kosova, asistenti i parë shqiptar nga Kosova në Universitetin e Beogradit, veprimtari dhe udhëheqësi i këvizjes ilegale në Kosovë, Kadri Halimi ka thëne: “Hasani është intelektual i zoti bashkë e kemi hartuar tekstin e përgjigjes së Dançetoviqit” (“Takimi i fshehtë me Hasan Kaleshin”, Lajm, Prishtinë, 19 korrik 2010, f. 9).

Vehap Shita, publicisti dhe kritiku letrar, i cili ka pasur edhe disa polemika me Hasan Kaleshin në lidhje me disa shkrime të tij, në një intervistë dhënë gazetarit Ibrahim Kadriu, thotë: “Hasanin e kam pasur shok klase. Ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm, punëtor i mirë e hulumtues. Ambicioz sa s’ka më! Kështu mbeti deri në fund… Mëkat që vdiq herët”. Ndërsa disa shkrime të tij Vehap Shita i vlerëson si “tendencioze dhe fyese” (Ibrahim Kadriu, “Bashkëbisedimi i fundit”, Koha ditore, Prishtinë, 15 nëntor 2014, f. 26).

Prof dr. Zekria Cana, në ditarin e tij të titulluar “Ditari i robërisë”, mes tjerash shkruan edhe për rithemelimin e Instituti Albanologjik më 1967, ku e potencon edhe emrin e Hasan Kaleshit:”Posa u rithemelua Instituti Albanologjik me 1967, drejtor i tij, Femi Agani, vajti në Beograd e kërkoi Hasan Kaleshin dhe e solli në Prishtinë. E vendosi aty ku e kishte vendin, në kabinetin e punës bashkë me Anton Çetten, Rexhep Qosjen dhe shkruesin e këtyre radhëve (Zekria Canën – N.A). Hasanit iu krijuan të gjitha kushtet e nevojshme shkencore që t’u rrekej kërkimeve shkencore nëpër arkiva e biblioteka brenda dhe jashtë shtetit, që të dilte me kumtesa e referate në sesione, simpoziume e kongrese shkencore. Shpresohej se ai do ta kryente projektin e madh shkencor në lidhje me kontributin e shqiptarëve në letërsinë, gjuhën dhe kulturën osmane, për të ndriçuar marrjet dhe dhëniet e ndërsjellat shqiptaro-osmane” (Zekria Cana, Ditari i Robërisë 1, Rozafa, Prishtinë, 2000, f. 125).

Akademik Aleks Buda dhe profesorët Ndreçi Plasari, Bujar Hoxha, Dhorko Dhamo, Mediha Shuteriqi dhe Thoma Murzaku, me rastin e ardhjes se tyre në Kosovë në maj të vitit 1968, në simpoziumin kushtuar Skënderbeut, pasi qëndruan disa ditë në Kosovë dhe pasi arrijnë në Tiranë, përpilojnë një raport mbi veprimtarinë e tyre disaditore në Kosovë. Raporti mban datën 25 maj të 1968 dhe së fundmi është botuar me një vështrim nga studiuesja Ana Lalaj. Aty, mes tjerash, shkruhej: “Përgjithësisht, mund të thuhet se kumtesat e mbajtura nga shqiptarët e vendas ishin në një nivel shkencor mjaftë të ultë; ato i përshkonte fryma patriotike por metodologjikisht ishin të dobëta dhe nuk sillnin ndonjë rezultat shkencor për t’u shënuar. Nga kumtesat me të mira mund të konsiderohet ajo e Rexhep Qoses… Për ndonjë material të ri nga arkivat turke kishin interes kumtesat e Skender Rizajt dhe Hasan Kaleshit, ndonëse nuk mungonin nga ana tjetër, edhe pikëpamjet të shtrembra në lidhje me vlerësimet e pushtimit osman (në këtë çështje ata janë viktima të mënyrës shtrembëruese të të parit të këtij problemi që gjendet të një varg historianesh turq, gjermano-perëndimor)” (Ana Lalaj, “1968-1969-shkrirja e akujve në bashkëpunimin kulturor Shqipëri-Kosovë”, Studime Historike, nr. (3-4) 2015, QSA-IH, Tiranë, 2015, f. 256).

Akademik Rexhep Qosja, sipas shënimeve personale të studiuesit Sadulla Brestovci, në lidhje më Hasan Kaleshin shkruan kështu: “Drejtori – Unë (Sadullah Brestovci – N.A) – H. Kaleshi. Me 26. 3. 1976 në mbledhje për të parën herë pas sa e sa vitesh (Rexhep Qosja – N.A) tha se duhet t’ju drejtohemi për bashkëpunim edhe atyre me të cilët nuk flasim. Duhet pra t’ju shkruajmë edhe Hasan Kaleshit e Shefqet Pllanës etj., janë shkencëtare të njohur edhe jashtë, andaj pse mos t’iu shkruajmë për bashkëpunim” (Arkivi i Kosovës, Prishtinë, Fondi, Sadulla Brestovci, Viti 1976, Kutia 2, f. 6).

Studiuesi Dritan Egro për Hasan Kaleshin mendon se: “Për vetë tematikën e gjerë që ka trajtuar Kaleshi, mund të vlerësohet si orientalisti shqiptar i cili ka hedhur ide e mendime për shumë çështje të historisë dhe kulturës orientale. Madje ai duhet konsideruar si një ndër pionieret e historisë së kulturës osmano-islame në viset shqiptare (Dritan Egro, Historia dhe ideologjia – Një qasje kritike studimeve osmane në historiografinë moderne shqiptare (nga gjysma e dytë e shek. XIX deri sot), Instituti i Historisë, Tiranë, f. 112).

Studiuesi Qemal Murati, në lidhje me personalitetin e Hasan Kaleshit, mendon se ishte studiues që “nuk i bënte lak të së vërtetës shkencore, por e thoshte atë troç, pavarësisht se i pëlqente ajo dikujt apo jo, me emrin e Hasan Kaleshit, sidomos pas shkuarje së tij nga kjo botë, kur e kur do të behën spekulime...,” (Qemal Murati, Vep. e cit., f. 299-300).

Më 9 prill 2016, me rastin e kremtimit të ditëlindjes së Profetit Muhamed a.s., në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në fjalimin e tij, në mes tjerash, shpalos gatishmërinë e tij dhe të shtetit shqiptar për ta futur edhe lëndën e mësimin fetar islam në shkollat e Shqipërisë, sepse – sipas Kryeministrit – ne pak dimë dhe më pak kemi ditur për personalitet shqiptare që kanë dhënë kontribut në diturinë islame, duke theksuar se: “Kultet janë kursor të rëndësishëm të leximit të romanit kombëtar dhe universal. Pak e dinë edhe në Shqipëri dhe kjo është një fatkeqësi kombëtare në këndvështrimin tim, se kulti islam aq shumë në qasjen e tij qytetëruese dhe tolerante ka promovuar në këtë vend shkollimin dhe kulturën. U deshën shekuj përpara se studiuesit Hasan Kaleshi dhe Nehat Krasniqi, emri i të cilëve tingëllon si të thuash me pak humor arabisht, në shkollat tona, të mund të nxirrnin në pah ato kontribute shqiptare në dituritë islame, që janë po aq kontribute në kulturën botërore dhe trashëgiminë e njerëzimit”(http://profetimuhamed.org/portfol io/programi-festiv-2016-2/ (hulumtuar më 17. 7. 2016).

Njëra nga mësueset e njohura në Prishtinë, znj. Ajtene Pllana, bashkëshortja e studiuesit të folklorit Shefqet Pllana, në kujtimet e saj tregon për një rast kur kjo e kishte shoqëruar bashkëshortin e saj më 1970 në Munih të Gjermanisë, ku ai me bursën e fituar asokohe kishte shkuar për një “qëndrim studiues”. Siç thoshte ajo, në atë periudhë në hulumtime në po atë qytet ishte edhe Hasan Kaleshi. Por, sipas Zonjës, takimi që më së shumti i kishte bërë përshtypje asaj, gjatë kohës sa qëndroi në Munih, ishte ai në klubin e letrarëve në Munih, ku ajo kishte shkuar së bashku me bashkëshortin e saj dhe Hasan Kaleshin. Aty ishin pritur nga studiuesit Martin Camaj, Hans Joachim Kissling dhe Rudolf Trofenik. Po sipas zonjës Ajten, studiuesi Rudolf Trofenik u ngrit dhe u dëshiroi mirëseardhje me këto fjalë “Unë jam shumë i nderuar që sonte jam në shoqërinë e këtyre shqiptarëve: dr. Hasan Kaleshi, këtij poligloti që flet dhjetë-njëmbëdhjetë gjuhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kajros, e që vjen nga një fshat i largët i Maqedonisë” (Ajten Pllana, Tetëdhjetë vjet tregime, Koha & Epoka, Prishtinë, 2018, f. 268).

 

Përfundim

 

Duke shfletuar literaturën të cilën e kemi në dispozicion deri me sot dhe disa dokumente të kohës për jetën dhe veprimtarinë e Hasan Kaleshit, mund të thuhet se ishte njëri nga studiuesit më prodhimtarë të kohës së tij, posaçërisht për periudhën osmane te shqiptarët. Punimet e shkruara nga ai, disa të përkthyera në disa gjuhë botërore, edhe sot e kësaj dite mbesin referencë për studiuesit e vendit dhe ata të huaj.

Nga hulumtimet tona të gjertanishme, kemi hasur në shumë dokumente, vendime, korrespodenca etj., të papublikuara deri me sot, që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e këtij studiuesi, të cilat duhet studiuar dhe analizuar, me qëllim që të plotësohet edhe më tej mozaiku i jetës dhe veprimtarisë së tij.

Dhe, krejt në fund, këtë kontribut timin modest po e përmbylli me konstatim e studiuesit Martin Camaj se: “Kaleshi si njeri e shkencëtar pati cilësi të posaçme, për këtë vdiq pa qenë i kuptuem prej rrethit ma të ngushtë…. Shpesh herë ngutja dhe bindja se jemi në rrugë të drejtë na çon në gabim dhe rras të keqe: këtë gabim ngjan se e bajnë të gjithë ata, sidomos ma të rinjtë, që e dënojnë rreptë nji shkencëtar në shej tonin si ishte Kaleshi i cili me ndjesi ishte po aq shqiptar së paku sa secili nesh”. /shenja