Origjina e errët e demokracisë shqiptare

Elton Hatibi

Im’atë e yt’atë/ Asqer në Bagdad,
Po bëjnë hesap./ Po ky yt’atë,
s’i jep paratë./ Merr im’ atë
një shkop të thantë/ qëllon tët atë
në xerk të gjatë/ i derdh paratë,
i merr im’atë,/ i hedh në trastë

Elton HATIBI, Tiranë

Kur ndanin etapat zhvillimore që kishte përshkruar njerëzimi, nga fillesat e hershme drejt modernitetit, bazuar në teorinë e materializmit dialektik, ideologët e regjimit komunist na mësonin se pas kalimit nga kopetë e majmunëve në komunën primitive dhe më pas në hapat e tjera, në këtë copë gjeografike që quhej Shqipëri kapitalizmi kishte mbërritur në vitet e ’30-ta të shekullit XX. Në këtë dhjetëvjeçar ishin “kristalizuar” marrëdhëniet kapitaliste në vend. Pa ndonjë shpjegim bindës, pa pasur për rrjedhojë një oponencë opinioni, tregohej se borgjezia tashmë kishte marrë frenat e ekonomisë dhe si klasë sunduese qeveriste ndaj pjesës tjetër të vendit, ndaj klasës punëtore dhe sidomos ndaj fshatarësisë. Dhe, kjo shkëndijë dialektike zgjati shumë pak në histori, aq sa për të përligjur ideologjikisht revolucionin. Pa ndarë mirë fitimet dhe dividentët e sipërmarrjes së tyre ekonomike, befas vjen revolucioni popullor demokratik dhe ia konfiskon borgjezisë shqiptare dhe të huaj të tëra pronat, paratë dhe pajisjet. Natyrisht, komunistëve u duhej një shpjegim teorik për të shëmbëllyer sado pak me gjeografi të tjera, ku ngjashëm si këtu, pak më herët, ishin “pjekur kushtet” e shndërrimit të antagonizmit klasor në revolucion. Ideologët e regjimit, në parashtrimin e tyre teorik nuk parapanë që kjo klasë sunduese të shtrihej përtej një brezi të moshës biologjike, të gëzonte dhe të grumbullonte frytet e sipërmarrjes ekonomike shoqërore, por menjëherë e përmbysën dhe e zhgraduan nga funksionet e saj. Sakaq, po në këtë skemë teorike, fshatarët “ish-bujkrobër” të perëndimit të Perandorisë Osmane, pa u “ndërgjegjësuar” mirë për kushtet e reja të “marrëdhënieve kapitaliste” që erdhën në vitet e 30-ta, një dhjetëvjeçar më pas, u ngritën dhe me sukses e përmbysën klasën sunduese. Sipas kësaj skeme, brenda jetës së tij, fshatari ishte dhe “bujkrobi” në robërinë e feudalit, dhe “proletari”, nën shfrytëzimin e kapitalistit, dhe “klasë punëtore”, që ndërsa po ashpërsonte luftën ndaj “klasës së përmbysur”, po punonte pa ndalur, për fitoret e socializmit.

Ajo që do të karakterizonte regjimin komunist në përpjekjen e tij për ndërtimin e socializmit, ishte inxhinierimi social i ideuar dhe kontrolluar nga udhëheqja e ngushtë e regjimit. Në rrafshin demografik, qytetet e mëdha, por dhe disa që u ndërtuan si pole industriale, u shtuan me popullsi fshatare, duke dëmtuar pa kthim indin e brishtë kulturor urban. Lëvizja e një pjese të mirë të popullsisë fshatare drejt qytetit bëhej për ta rritur fuqinë punëtore të industrializimit të ethshëm të ekonomisë. Por, për arsye politike, kjo masë e madhe popullsie ishte një mbështetje e gjerë për regjimin në qendrat urbane. Një pjesë e konsiderueshme e saj rekrutohej dhe në aparatin e fryrë të sigurisë, thelbësor për një regjim totalitar. Largimi nga fshati, me punët e rënda dhe me kushtet mizerabël të shërbimeve dhe higjienës, ishte një fitore gjeneracionale e fshatarit të varfër shqiptar të komunizmit. Në kooperativat bujqësore, eksperimentohej pa mëshirë një variant i çmendur ekonomie, që më shumë se i frytshëm dhe i bereqetshëm, mbante në punë dhe nën kontroll të vazhdueshme masën e madhe të popullsisë fshatare. Lëvizja e fshatarësisë drejt qendrave urbane ka qenë e natyrshme për shekuj me radhë, për arsye të ngjashme, sikur në komunizëm. Tradicionalisht, individë dhe familje vinin në qytete, duke kryer punë të ndryshme, derisa përshtateshin dhe shkriheshin në habitatin e ri. Mbiemrat e shumë familjeve të mëdha në Tiranë tregojnë origjinën e tyre nga fshatrat pranë kryeqytetit, çka dëshmon këtë dinamikë sociale. Shumë nga këto familje njihen për zanate specifike të përvetësuara kur ata janë përshtatur në jetën urbane, duke u shndërruar kështu ngadalë në një klasë të mesme qytetare. Ndërsa me zhvendosjet e programuara në komunizëm është ndryshe. Lagje të tëra, dhe qendra të vogla urbane, popullohen nga prurje të cilat e kanë të vështirë të ambientohen në kushtet e reja sociale. Punësimi në stabilimente të gjera industriale, me procese pune zinxhir, të përllogaritura nga makineritë, dhe strehimi në apartamente të ngushta, ndërtuar pa pretendime të standardizuara urbane, krijuan një rutinë të tensionuar të jetës qytetare, për një popullsi që e kishte të freskët të shkuarën e saj rurale. Regjimi komunist nuk kishte kohë për të humbur. Në paradigmën ideologjike të transformimit shoqëror duhej krijuar sa më shpejt klasa punëtore, e domosdoshme për industrializimin dhe progresin e dëshiruar shoqëror.

Të gjithë e dimë se ku shkuan fitoret e socializmit. Edhe pse udhëheqja e revolucionit dhe e klasës punëtore teorikisht “triumfonte” ndaj çdo komploti dhe sabotimi, praktikisht ekonomia shqiptare dështoi keqazi; popullata iu nënshtrua kufizimeve drastike të të mirave dhe mjerimit të pashmangshëm. Pas kolapsit global të sistemit socialist të lindjes dhe fitores së kapitalizmit liberal, edhe udhëheqja komuniste shqiptare nisi me përtaci të ndryshojë aspekte të menaxhimit ekonomik, që do të mundësonin në përmasë të vogël ndërmarrjen private dhe tregtinë e lirë. Megjithëse kontrolloi rreptësisht lëvizjen e popullsisë sipas nevojave të tij politiko-ekonomike, regjimi komunist në fundin e tij kishte mbërthyer ende shumicën dërrmuese të popullsisë në fshatra, shpesh të hallakatura maleve dhe luginave të thella. Në atë parabolën marksiste të ndërtuar nga ideologët e regjimit, në harkun e një shekulli, fshatari shqiptar, i futur në qerthullin dialektik, edhe pse kishte tentuar të shndërrohej pjesërisht në proletariat, kishte mbërritur sërish të ishte fshatar, por kësaj radhe i rrënuar. Gjithë përpjekja moderne për mbërritjen në utopinë e komunizmit kishte rezultuar e kotë. Ndërkohë, rënia e regjimit ishte një mundësi e papërsëritshme për shqiptarët e uritur që të eksploronin në realitetin e ri post-komunist. Një pjesë e mirë, e lodhur përfundimisht nga komunizmi, zgjodhi të emigronte jashtë vendit. Shumica që mbeti, me përvojë të pakët politike dhe ekonomike në rendin e ri liberal, por sidomos të mbarsur në mendje me propagandën e shkuar, dhe të veshur me moralin e njeriut të ri të komunizmit, nisën rrugëtimin për të ndërtuar demokracinë shqiptare. Duhej ndërtuar demokracia për të ngritur prosperitetin shoqëror dhe ekonomik. Në sistemin e ri politik, ku institucion qendror do të ishte zgjedhja e përfaqësuesve të popullit përmes mekanizmit të votës së lirë, shumica e popullsisë që jetonte në fshat ishte rezervuari ideal i mbështetjes politike të rivalitetit partiak të së nesërmes.

Ideologëve të rinj, të formuar në shkollën e vjetër, u duhej një narrativë e re për ta mbështetur sipërmarrjen e re transformuese të shqiptarëve. Në rrafshin e përgjithshëm teorik, aty ku nuk çalonin, ishte disi më e lehtë: duheshin ndërtuar institucione, ngjashëm si në perëndim. Halli ishte te reformat social-ekonomike, që do të formësonin kapitalizmin e ri shqiptar. Duke qenë se ekonomia e planifikuar ishte shpërbërë ende pa rënë regjimi i vjetër dhe ekonomia e re kapitaliste kishte lindur me shkëmbime të imta kinkalerinash, u mendua që fillimi i këtij tranzicioni të quhej “viti zero”. Viti 1991 ishte një vit zero, por plot me optimizëm, ankth dhe dalldi. Përmbysja e sistemit u shoqërua me trazira apo episode të ndryshme, që formësuan dhe grupimet e reja politike, sjelljen politike dhe ligjërimin e ri politik. Nga ajo kohë na vjen dhe eufemizmi “çeku i bardhë”, mekanizëm që do të duhej të bënte mrekullira ekonomike, një rrëfenjë gastronomike për barkun ende të zbrazur të miletit të paditur. Në këtë nisje të barabartë nga mjerimi drejt ringritjes, ideologët e rinj realizuan reformën më të rëndësishme që do të përcaktonte më pas, deri në ditët tona, jetën ekonomike dhe politike në vend, reformën e pronësisë.

Metodologjia e trajtimit të pronës tokësore dhe aseteve të amortizuara të industrisë u konceptua si një rindërtim praktik i “komunës primitive” të materializmit dialektik. Ashtu siç njerëzit e parë, të sapodalë nga egërsia e natyrës ndanin mes tyre rrënjët, frutat dhe copat e mishit gjysmë të pjekur, edhe prona e përbashkët u nda sipas nevojës së supozuar të anëtarëve të rendit të ri shoqëror. Pra, ngjashëm si në komunizëm, të gjithë jemi të barabartë në ndërtimin e pasurisë, por më shumë do të marrë ai që ka më shumë nevojë. Dhe, ku ka argument më “natyral” sesa numri i frymëve nën kulmin e çatisë. Gjithçka për t’u ndarë u konsiderua si pasuri e ndërtuar dhe e grumbulluar nga të gjithë gjatë regjimit të shkuar, pa përfshirë në ekuacion faktin se ekonomia e komunizmit ishte mbështetur diku në nisjen e saj, gjysmë shekulli më parë. Ishte e papranueshme për këtë filozofi primitive që të kthehej koka pas, për të rivendosur sadopak drejtësi ndaj “klasës së përmbysur” dhe, ndoshta, për të mësuar diçka nga mënyra se si funksiononte shoqëria e pararevolucionit. Në formimin marksist, koha historike është vetëm lineare, andaj “kthimi pas” është teorikisht i pamundur. Ndërtimi i kësaj reforme të parë madhore ishte konsensual. Dy grupimet politike, i riu që po “shembte” komunizmin, dhe tjetri, i vjetri, që po përpiqej të reformohej në kushte të reja, ranë dakord që fshatarëve t’u ndanin në mënyrë të barabartë nga një ngastër mjerimi. Por, që të përthithej kjo dhuratë, u desh shoqëruar me fshirje taksash për fshatarin dhe aktivitetin e tij ekonomik, një absurditet ky në filozofinë e barazisë, si rregull i drejtë loje.

Sakaq, ish-proletarëve “të shfronësuar” nga pushteti, të mbetur pa stabilimentet industriale, ku të realizonin ëndrrën e tyre jetësore, regjimi i ri demokratik vendosi t’ua kalonte banesat e “përbashkëta”, kundrejt një çmimi simbolik, ose edhe t’i përfshinte në privatizimet e ardhshme të aseteve të industrisë. Megjithatë, kjo nuk mjaftonte. Të mësuar me rutinën e punës në fabrika, kjo “klasë punëtore” tashmë ndodhej konkretisht me pak mundësi punësimi. Për të mbijetuar, duhej improvizuar në rrethanat e reja. Më të privilegjuarit në këtë ndërmarrje barazie ishte ajo pjesë nga “ish-klasa punëtore” që për pak qindarka privatizoi njësitë e shërbimit ose, në gjuhën popullore, dyqanet për tregti. Kjo do të ishte elita e hershme kapitaliste, e hedhur në sulmin e ethshëm për të rindërtuar ekonominë shqiptare. Aparatçikët e regjimit, ndërkohë, ndanë gërmadhat e stabilimenteve të industrisë, që do të shërbenin pak vite më pas si truall i paçmuar ndërtimi. Kështu u nda trashëgimia materiale e komunizmit, me vullnetin fisnik për barazi, por pa e përmbajtur dot etjen e babëzinë njerëzore. Në teori, ideologët e transformimit shoqëror dhe politik dëshironin që në gjendjen e barazisë të niste gara e drejtë për “diferencimin” shoqëror, të pashmangshëm, sipas tyre, në krijimin e klasave shoqërore antagoniste. Në praktikë, duke mos dashur të përjetonin gjendjen post-majmun të njeriut, ndërtuesit e këtij rendi, praktikisht, e dogjën këtë etapë teorike, aspak të lakmuar për një mendje racionale. Me ndarjen e aseteve dhe ngastrave të tokës, njerëzit e rinj të pushtetit të vjetër thjesht pasuruan më tej “oborrin” e tyre të diferencimit të natyrshëm shoqëror.

Janë interesante këto përkime paradigmatike në rrafshin social-politike të këtij harku shekullor, nga përmbysja revolucionare komuniste deri në ditët tona, kur janë kristalizuar interesat e grupeve shoqërore. Elita që udhëhoqi revolucionin dhe pasardhësit e kësaj trashëgimie politike e kanë pasur aleate një pjesë të mirë të fshatarësisë së vendit në rrugëtimin e tyre politik dhe ekonomik, herë duke e joshur dhe herë duke e trysnuar. Pa ndihmën e fshatarësisë, që mbështeti komunistët gjatë luftës dhe revolucionit, zor se do të mësyhej drejt shtëpive, pasurive dhe, sidomos, zyrave të pushtetit të elitës së vjetër. Edhe gjatë “ndërtimit të socializmit”, një vend thellësisht agrar si Shqipëria, do të mbështetej në punën dhe mjerimin e fshatarësisë së saj për të eksperimentuar utopinë komuniste.

Paradoksalisht, edhe në ringritjen e kapitalizmit shqiptar fshatarësia do të përfshihej pashmangshëm në skemat praktike të ideologëve të transformimit të regjimit, kësaj
radhe si garantuese maksimale e status quo-së së luftës së klasave, duke neutralizuar përfundimisht ringritjen e shtresës së të përmbysurve të djeshëm, shpërblyer me tokat e tyre të shpronësuara së dyti, demokratikisht kësaj here. /revistashenja