Osmani: Aksioni i sotëm nuk mund të quhet “aksion në veri”

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme.

Duke folur rreth tensionimit të situatës në veri si pasojë e një aksioni të Policisë së Kosovës në disa pjesë të ndryshme të vendit, për të luftuar kontrabandën me mallra, Osmani ka thënë se ky aksion nuk mund të quhet “aksion në veri” sepse siç ka thënë, ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik. Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se tani që lufta ndaj krimit është e vërtetë dhe e panegociueshme, presin që BE-ja të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit.

“Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, ka përfunduar Osmani.