Osmani dhe Sulyok flasin për forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Hungarisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se të martën në takimin me homologun e saj hungarez, Tamas Sulyok ka diskutuar për thellimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Osmani ka theksuar se potenciali për rritjen e mëtejme të këtij bashkëpunimi është i madh dhe se Kosova mbetet e përkushtuar për të hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet dypalëshe.

“Në takim, i shpreha Presidentit Sulyok mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Hungarisë në kuadër të KFOR-it, për mbështetjen e dhënë studentëve të Kosovës ndër vite, si dhe për iniciativat që kanë afruar edhe më shumë dy vendet tona”, ka shkruar ajo në Facebook.