Osmani për peticionin për shkarkimin e kryetarëve në veri: E drejtë që u takon qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se peticioni i nisur nga serbët e Kosovës për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave veriore është e drejtë që u takon qytetarëve.

Të mërkurën ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit. Afati për mbledhjen e nënshkrimeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq e Zubin-Potok për shkarkimin e kryetarëve është 22 janari, ndërsa të kryetarit të Zveçanit afati i fundit është 27 janari.

Osmani pas homazheve para bustit të Kadri Zekës në Prishtinë, foli për peticionin.

“Siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë një procedurë të tillë, që pastaj është specifikuar edhe me Udhëzim Administrativ të miratuar së fundi nga ministria përkatëse. Është e drejtë që u takon qytetarëve të të gjitha komunave. Rrjedhimisht në këtë rast, qytetarët e komunave në veri të vendit po e shfrytëzojnë këtë të drejtë. Është me rëndësi të respektohen procedurat, por si shtet demokratik që jemi e që i respektojmë të drejtat e gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, natyrisht edhe kjo e drejtë duhet të respektohet”, ka thënë Osmani.