Osmani – zv.sekretares së SHBA-së: Kosova ndër vendet më demokratike në botë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë zëvendëssekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Victoria Nuland, se Kosova është ndër vendet më demokratike në botë, vetëm pak ditë pasi SHBA-ja nuk e ftoi Kosovën në Samitin për Demokraci.

Në një takim që kanë pasur Osmani me Nulandin në Washington, sipas Presidencës së Kosovës, është riafirmuar përkushtimi i vazhdueshëm i dy vendeve për partneritetin e fortë, si dhe angazhimin e palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta.

“Presidentja Osmani tha se Kosova është ndër vendet më demokratike në botë, një burim i vërtetë shprese në rajon dhe më gjerë, si dhe një histori e vërtetë suksesi e politikës së jashtme të SHBA-vë. Ajo tha se Kosova është një shëmbëlltyrë e vlerave amerikane”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, Nulandi ka shprehur mirënjohjen për Osmanin dhe rolin e saj për ofrimin e strehimit të përkohshëm për refugjatët afganë duke i thënë se kjo është shfaqje e përkushtimit të Kosovës ndaj miqësisë e partneritetit me SHBA-në.

Nuland theksoi se administrata e re në SHBA është e përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Kosovë dhe gjithë rajonin, si dhe për mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vazhdon njoftimi.

Në fund Osmani ka thënë se Kosova s’ka aleat më të madh se SHBA-ja.