“Pa marrëveshje me Listën Serbe apo VV-në, Demarkacioni nuk kalon”

Ende është në pikëpyetje nëse marrëveshja e Demarakcionit me Malin e Zi do të kalojë nesër në Parlament. Kjo pasi koalicionit qeverisës i mungojnë edhe dy vota për ta ratifikuar këtë projekt-ligj që po diskutohet për më shumë se dy vite.

Vendimtar në miratimin ose jo të Demarakcionit me Malin e Zi do ta kenë deputetët e Listës Serbe apo ata të Vetëvendosjes.

Analisti dhe njohësi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi thotë për lajmi.net se koalicioni qeverisës pa marrëveshje me serbët apo VV-në nuk mundet ta kalojë Demarkacionin.

Krasniqi ka bërë të ditur se për ta ratifikikuar këtë marrëveshje duhen 80 vota të deputetëve, apo 2/3.

“Marreëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit, apo të paktën 80 vota. Kalimi i kësaj marrëveshje varet nga deputetët e Listës Serbe dhe ata të Vetëvendosjes. Nëse partitë në pushtet nuk kanë marrëveshje me këto grupe parlamentare atëherë nuk mund të kaloj”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net

Por ndryshe nga Albert Krasniqi, optimist për ratifikimin e Demarakcionit janë shprehur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Pas mbledhjes së kryesisë, që të dy kanë thënë se deri kur të hidhet në votim kjo marrëveshje, ata do t’i sigurojnë votat e duhura.

Që të ndodhë një gjë e tillë ka spekulime që thonë se partnerët e koalicionit po zhvillojnë konsulta të vazhdueshme për ta bindur Listën Serbe ta votojë këtë marrëveshje.