Pacolli mohon tërheqjen e njohjes nga Liberia

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka mohuar se Liberia ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Tanjugu i Serbisë ka raportuar sot se Liberia ka tërhequr njohjen, por Pacolli ka akuzuar Beogradin se po bën propagandë për konsum të brendshëm.

“Sapo zhvillova një bisede telefonike me udhëheqësit e lartë të Qeverisë së Liberisë, të cilët ma konfirmuan që tërheqja e njohjes së Republikës së Kosovës nuk është e vërtetë, prandaj është për keqardhje që Beogradi zyrtar vazhdon të investojë përpjekje të kota në propagandë destruktive për konsum të brendshëm në Serbi”, ka thënë Pacolli.

“Në ditët në vijim, marëdhëniet e Republikës së Kosovës me Liberinë, do të kulmojnë në nivelin më të lartë diplomatik”.

Ministri i Punëve të jashtme i Liberisë Gbezongar Milton Findlej ia ka dorëzuar sot shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiqi notën për tërheqjen derisa të zgjasë dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Në notë theksohet se Liberia e ka njohur Kosovën në bazë të njohurisë se Beogradi nuk është i gatshëm të bisedojë për zgjidhje e çështjes së Kosovës, transmeton Koha.net.

“Tash, me ndërmjetësim të BE-së, po zhvillohet dialogu ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Marrë para sysh këtë, do të ishte mirë që Liberia të marrë qëndrimin që mundëson zgjidhje përkatëse për qytetarët e Serbisë dhe të Kosovës, gjë që po bëhet me bisedimet e tashme. Në përputhje me këtë, Liberia anulon njohjen që ia ka bërë Kosovës. Ky vendim mbetet në fuqi gjithnjë derisa të zgjasin bisedimet dhe negociata me ndërmjetësim të BE-së”, thotë tanjug ta ketë përkthyer notën, transmeton koha.net.