Pacolli: Vjosa Osmani i refuzoi vaksinat që na i ofroi Turqia

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka deklaruar se shteti i Turqisë i ka ofruar vaksina Kosovës, por ato janë refuzuar nga Presidentja.

“Unë e di se Turqia na ka ofruar vaksina kineze, por ato janë refuzuar nga Presidentja Osmani duke thënë se ne duam vetëm ‘Pfizer’”, ka thënë Pacolli në Klan Kosova.

Ai ka thënë se kjo është e gabueshme, ndërsa ka theksuar se i ka shkruar personalisht edhe kryeministrit Albin Kurti.

“Unë nuk kam pasur mundësi të qëndroj duarkryq, unë i kam shkruar Kurtit pasi që vendimi për ardhjen e një vaksine duhet të bëhet direct nga Qeveria e një shteti. Unë i kam treguar se kam kontakte dhe mund të ofroj një ndërlidhje më të shpejtë mes Qeverisë dhe kompanisë në fjalë, kontaktin ma ka ofruar personalisht Edi Rama dhe kam udhëtuar e jam takuar me krerët e kompanisë”, ka thënë Pacolli.

Ai ka thënë se mund të ketë ndikim në kompaninë në fjalë, për t’i siguruar rreth 500 mijë vaksina.

Pacolli ka thënë se oferta e tij ndaj Kurtit si duket nuk do të pranohet, pasi që e Kurtin e ka kontaktuar para dy-tri javësh dhe deri më tani do të mund të siguronte një kontigjent prej 100 mijë vaksinave si fillim.