Pagesat në rrugë bankare u rritën me 18% në gjysmën e parë të këtij viti

Rritja më e vogël e pagesave në vlerë krahasuar me rritjen si numër transaksionesh është e lidhur edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit, që ka tkurrur vlerën statistikore të transfertave të kryera në valutë të huaj.

Përdorimi i kanaleve bankare të pagesave nga shqiptarët po rritet më tej gjatë këtij viti.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë, individët dhe bizneset kanë kryer rreth 18.7 milionë pagesa në rrugë bankare, në rritje me 17.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, vlera totale e transaksioneve arriti në 2.9 trilionë lekë, në rritje me 7.5% në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2022.

Rritja më e vogël e pagesave në vlerë krahasuar me rritjen si numër transaksionesh është e lidhur edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit, që ka tkurrur vlerën statistikore të transfertave të kryera në valutë të huaj.

Në numër veprimesh, peshën kryesore në veprimet bankare të shqiptarëve vazhdojnë ta zënë pagesat me karta, me rreth 61% të totalit. Veprimet me kartë ende dominohen nga tërheqjet e parasë cash nga bankomatet, por pagesat me kartë në terminalet POS po rriten me ritme të shpejta në vitet e fundit.

Grupi i dytë më i madh brenda pagesave në rrugë bankare janë transfertat e kreditimit të nisura nga klientët. Këto përfshijnë pagesat e nisura nga klientët në degët e bankave ose nëpërmjet kanaleve bankare në distancë, kryesisht internet banking.

Risia më e rëndësishme e këtij viti është se tashmë transfertat bankare po dominohen nga veprimet në kanalet e elektronike. Rreth 56% e numrit total të këtyre transfertave u kryen në formë jo-letër, nëpërmjet kanaleve elektronike.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 66% të totalit. Kjo tregon se përdorimi i shërbimeve bankare ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit.