Pakistan: Nëse nuk vihemi në veprim, mund të ndodhë një kolaps ekonomik në Afganistan

Pakistani ka njoftuar se nëse nuk vihen në veprim, mund të ndodhë një kolaps ekonomik në Afganistan.

Pas takimit të 17-të të jashtëzakonshëm të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), të mbajtur në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmud Kureshi, mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të OBI-t, Huseyin Ibrahim Taha.

Duke u shprehur se mund të ketë mendime të ndryshme lidhur me autoritetet në Kabul, por se duhet të fokusohen tek 38 milionë afganët, Kureshi tha: “Vihet re se nëse nuk veprojmë, mund të ndodhë një kolaps ekonomik në Afganistan”.

Ai paralajmëroi se nëse gjërat shkojnë keq në Afganistan, si pasojë mund të preken vendet fqinje dhe pjesët e tjera të botës si dhe theksoi se ndihma ndaj popullit afgan është një përgjegjësi e përbashkët dhe Pakistani nuk mund të përmbushë i vetëm nevojat humanitare të këtij vendi.

Duke rikujtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe autoritetet afgane janë takuar në kuadër të mbledhjes së OBI-t, Kureshi theksoi se kjo është shumë e rëndësishme.

Ai vuri në dukje se Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Afganistanin, Thomas West, erdhi me një mandat të qartë për të vendosur marrëdhënie me talibanët dhe shtoi se West tha se ata ishin të gatshëm të ndihmonin në zbutjen e vuajtjeve të popullit të Afganistanit dhe se ndihma humanitare do të ofrohej pa kushte.

Ministri i Punëve të Jashtme të Pakistanit, Shah Mahmud Kureshi tha se në institucionet financiare ndërkombëtare janë 1.2 miliardë dollarë që mund të përdoren për Afganistanin dhe se me hapjen e kanaleve bankare në këtë vend, afganët që jetojnë jashtë mund t’u dërgojnë para të afërmve të tyre.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islam, Huseyin Ibrahim Taha falënderoi Pakistanin dhe Arabinë Saudite për rolin e tyre në organizimin e takimit dhe tha se përfaqësuesi special i OBI-t në Afganistan do t’i japë shpresë të re popullit të këtij vendi në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Taha theksoi se takimi përfundoi me një sukses të vërtetë dhe vuri në dukje se do të bëjnë të pamundurën për të lehtësuar situatën në Afganistan. /aa