Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan të premten përsëriti paralajmërimin e tij për mundësinë e një lufte bërthamore me vendin fqinj Indinë, për shkak të krizës së gjatë në rajonin e diskutueshëm Xhamu dhe Kashmir, raporton Anadolu Agency (AA).
Paralajmërimet e Khan-it që bëri jehonë gjatë adresimit të tij të shumëpritur në seancën e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) në New York, erdhën disa orë pas presionit të presidentit të SHBA-së ndaj New Delhit për të hequr bllokadën disa javëshe në rajonin e diskutueshëm.
Tensionet në mes të dy vendeve fqinje aziatike me armë bërthamore u përshkallëzuan disa javë më parë kur qeveria indiane revokoi statusin special të Xhamu dhe Kashmirit më 5 gusht.
Që nga kjo kohë, rajoni ka qenë në një bllokadë pothuaj se të plotë pasi qeveria indiane bllokoi komunikimin dhe vendosi kufizime të lëvizjes për të parandaluar protestat në rajon.
Me qindra kashmiras dhe sikhas ishin mbledhur para selisë së OKB-së në New York për të kundërshtuar hapin kundërthënës të Indisë. Fjalimi i Khan-it u përqendrua në shkeljen e të drejtave të njeriut në rajonin me shumicë muslimane dhe thirrjes së tij për “intervenim” të komunitetit ndërkombëtar për të shpëtuar botën nga një luftë e mundshme bërthamore midis dy rivalëve të kamotshëm.
“A ka menduar bota se çfarë do të ndodhë pas heqjes së bllokadës? Do të ketë reagim (nga Kashmiri) dhe India do të na fajësojë ne për këtë”, ka thënë Khan duke shtuar “Kjo (loja e fajësimit) do të sjellë ballë për ballë dy shtetet bërthamore”, theksoi Khan, në foltoren e AP të OKB-së i veshur me veshje kombëtare.
“Nëse fillon një luftë bërthamore, ajo do të ketë pasoja për mbarë botën”, tha Khan duke nënvizuar se “ky nuk është kërcënim, por frikë”.
Khan kundërshtoi politikat “mizore” të kryeministrit të Indisë, Narendra Modi ndaj Kashmirit dhe tha se “nese Pakistani mbetet pa zgjidhje, ne do të luftojmë deri në fund”.
“Në rast të fillimit të një lufte konvencionale midis dy vendeve bërthamore, çfarë do të bëjë vendi disa herë më i vogël se fqinji i tij? Do të luftojë deri në vdekje”, tha ai ndër të tjera.
“Ne shpresojmë për më mirë, por jemi të gatshëm për më të keqen”, tha Khan.
“Kur një vend me armë bërthamore lufton deri në fund, kjo do të ketë pasoja larg kufijve të saj. Kjo do të ketë pasoja për botën”, tha ai.
Duke kërkuar heqjen e bllokadës disa javëshe dhe lirimin e mijëra të arrestuarve, Khan i bëri thirrje OKB-së të zbatojë rezolutat dhe përgjegjësitë e saj në Kashmir duke e cilësuar këtë një “test për OKB-në” si mundësi për të kthyer kredibilitetin e saj duke i dhënë mundësinë e vetvendosjes Kashmirit.
“Tani është koha të veproni. Veprimi i parë duhet të jetë që India të heq rrethimin e saj 55 ditorë. Ajo duhet të lirojë të gjithë të burgosurit, përfshirë 13 mijë fëmijët që u ndaluan së fundmi”, shtoi ai.
Disa grupe të të drejtave, përfshirë Human Rights Watch (HRW) dhe Amnesty International (AI) kanë përsëritur thirrjet për heqjen e bllokadës dhe lirimin e të burgosurve politikë.
India tha se 93 për qind të ndalesave janë lehtësuar në rajonin e trazuar, pretendim ky të cilin Anadolu Agency nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur.



