Palestina do të marrë pjesë në takimin e sigurisë me Izraelin në Sharm El-Sheikh të Egjiptit

Autoriteti Palestinez (PA) ka bërë të ditur se këtë javë do të marrë pjesë në një takim të sigurisë me Izraelin në qytetin turistik Sharm El-Sheikh të Egjiptit, transmeton Anadolu.

Egjipti, Jordania dhe SHBA-ja gjithashtu do të marrin pjesë në takimin që do të mbahet më 19 mars, të dielën.

Marrëveshja për të marrë pjesë në takim erdhi pas një takimi në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor midis sekretarit të komitetit ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Hussein Al-Sheikh dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për çështjen palestineze, Hady Amr.

Në një njoftim nga zyra e sekretarit të komitetit ekzekutiv të PLO-së thuhet se takimi ishte në “përgatitje për takimin 5-palësh që do të mbahet në Sharm El-Sheikh të dielën”.

Më tej, theksohet se në takim u diskutua për një sërë çështjesh dypalëshe dhe rajonale, përfshirë zhvillimet e fundit në territoret palestineze.

Muajin e kaluar, delegatët palestinezë dhe izraelitë morën pjesë në një takim në Jordani, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet në territoret palestineze.

Pjesëmarrësit në takim ranë dakord të ndërmarrin hapa për të avancuar masat e ndërtimit të besimit dhe për të rinovuar bashkëpunimin e sigurisë midis PA-së dhe Izraelit.

Javët e fundit, tensionet u përshkallëzuan në të gjithë territoret palestineze mes sulmeve të përsëritura ushtarake të Izraelit në qytetet palestineze.

Sipas shifrave palestineze, që nga fillimi i këtij viti mbi 80 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit, ndërkohë nga ana tjetër, sipas të dhënave nga autoritetet izraelite, 14 izraelitë janë vrarë në sulme gjatë të njëjtës periudhë.