Palestina kërkon nga Gjykata Penale Ndërkombëtare hetimin e vrasjes së gazetares Shirin Abu Aqila

Palestina i ka dërguar një letër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për krimet e Izraelit kundër popullit palestinez dhe vrasjen e korrespondentes së Al-Jazeera, Shirin Abu Aqila.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme Palestineze thuhet: “Ministria i ka dërguar një shkresë Gjykatës Penale Ndërkombëtare në lidhje me krimet e kryera nga shteti okupues ndaj popullit tonë, veçanërisht për vrasjen e Shirin Ebu Aqilas”.

Nga Gjykata është kërkuar të marrë parasysh këtë letër në mënyrë që të përshpejtojë hetimet dhe t’i sjellë kriminelët dhe vrasësit para drejtësisë ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu bëhet e ditur se Ministria do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj pasi Prokuroria e Përgjithshme Palestineze të përfundojë hetimin në lidhje me dosjen e Abu Aqila.

Shirin Abu Aqila, 51-vjeç, një korrespondente veterane në terren e televizionit Al-Jazeera me bazë në Katar, u vra nga zjarri i ushtarëve izraelitë më 11 maj teksa po mbulonte një bastisje nga forcat izraelite në një kamp refugjatësh në Jenin, në Bregun Perëndimor.

Gjatë kryerjes së detyrës dhe e veshur me jelek prej çeliku ku shkruhej “PRESS”, Abu Aqila u qëllua për vdekje nga ushtarët izraelitë me municion të vërtetë gjë që shkaktoi reagime të shumta.

Ceremonia e varrimit të Abu Aqila, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz, u bë më 13 maj në Jerusalemin Lindor të pushtuar.

Policia izraelite ndërhyri me plumba gome, bomba zhurmuese dhe shkopinj kundër atyre që donin të merrnin arkivolin e Abu Aqila nga spitali dhe ta transportonin në qytetin e vjetër të Jerusalemit Lindor, ndërsa arkivoli u pengua të binte në tokë në momentin e fundit.

Imazhet në fjalë u pritën gjithashtu me zemërim nga shoqëria ndërkombëtare. /trt