Pandemia varfëroi edhe më shumë të varfrit

Pandemia ka prekur të gjithë. Ka sfiduar shoqërinë e shtetin, por më së keqi e kanë pësuar ata që s’kanë pasur qëndrueshmëri të mirë ekonomike. Të varfrit janë varfëruar edhe më tej në Kosovë, sipas ankesave të vëna re nga qytetarët në Institucionin e Avokatit të Popullit.

Të martën, Avokati Naim Qelaj, derisa ka treguar statistikat lidhur me ankesat e qytetarëve për vitin 2021, ka thënë se gjendja e krijuar në pandemi ka ndikuar edhe në mirëqenien e qytetarëve dhe përkeqësimin e statusit ekonomik, duke e thelluar edhe më tepër hendekun e pabarazisë sociale ndërmjet familjeve.

Ndërkaq Petrit Çollaku, zyrtar për informim në Institucionin e Avokatit të Popullit, në emisionin Sot në KTV ka thënë se qytetarët gjatë pandemisë janë ankuar më së shumti në ministritë e vendit e në gjykata.

“Është vënë re, ankesat që mbizotërojnë janë ato të qytetarëve për të drejtën e tyre për gjykim të drejtë e të paanshëm. 20 për qind përbëjnë këto ankesa. Zvarritje të procedurave gjyqësore”, ka thënë ai duke shtuar se një përqindje e ankesave lidhet edhe me cenimin e së drejtës për mjete efikase juridike.

“Pandemia ka qenë në fillim sfiduese për të gjithë, ka qenë sfidë globale. E duke e marrë veten, e institucionet duke dalë me vendime të qarta që duhet të jenë në përputhje me ligjin e sipas rrethanave jo të përshtatshme, por ka qenë sfidë e madhe. Kemi vënë re telashe të shumta, por familjet e varfra në Kosovë gjatë kësaj kohe, kanë shkuar duke u varfëruar edhe më shumë. Një i madh i familjeve me persona me aftësi të kufizuara janë përballë me mungesë barnash esenciale. Kanë gjetur edhe rrugë joligjore për t’i siguruar barnat për fëmijët e tyre. Të gjithë e dimë që është prekur ekonomia. E temat tjera që dhanë pasqyrim të qartë duke u bazuar në ankesat e qytetarëve”, ka thënë ai.

Më 2021, Avokati i Popullit ka pranuar 1536 ankesa nga qytetarët. Prej tyre janë hapur për hetime 665. Numër i shumë ankesave të papranueshme sepse s’kanë nisur t’i shfrytëzojnë mjetet juridike. Te ministritë është numri më i madh i ankesave me 462 ndaj tyre. Pastaj 429 ndaj gjykatave, 332 ndaj komunave, 90 ndaj Policisë, 63 ndaj prokurorive, 53 ndaj personave privatë, 36 ndaj kompanive private, 27 ndaj ndërmarrjeve publike, 19 ndaj AKP-së dhe 19 ndaj autoriteteve të huaja.