Papa Françesku në mesazhin tradicional për Krishtlindje bën thirrje për “dialog kundër krizave”

Lideri shpirtëror i botës katolike, Papa Françesku tha se pandemia e COVID-19 ka vështirësuar marrëdhëniet në çdo nivel dhe se zgjidhja e kësaj është formimi i dialogut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Fjalimin tradicional “Urbi et Orbi” (Romës dhe botës) pas meshës me rastin e Krishtlindjeve ku dha mesazhe lidhur me çështjet e botës, Papa e mbajti nga lozha e bazilikës me pamje nga sheshi Shën Pjetrit.

Papa theksoi se në nivel personal në periudhën e pandemisë njerëzit kanë treguar prirjen e mbylljes në vetvete, marrëdhëniet janë sprovuar ndërsa në aspektin ndërkombëtar tërhoqi vëmendjen se ka pasur rrezik për distancim nga formimi i dialogut dhe zgjedhjen e rrugës së shkurtër në zgjidhjen e problemeve në vend të rrugës së gjatë të tillë si dialogu.

Në fjalën e tij, Papa tha se Krishtlindjet na tregojnë rrugën e dialogut për të kapërcyer krizat.

Duke theksuar se ende shohin shumë konflikte, kriza dhe kontradikta në të gjithë botën dhe këto duken sikur nuk do përfundojnë kurrë, Papa vazhdoi më tej duke thënë: “Tashmë nuk ndryshojmë shumë. Sepse jemi mësuar aq shumë sa që tragjeditë e mëdha ikin e kalojnë në heshtje. Të kujtojmë popullin sirian që prej më shumë se 10 vitesh ndodhet në luftë e cila ka shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve dhe një numri të paparashikueshëm të refugjatëve. Të shikojmë Irakun i cili pas një konflikti të gjatë përpiqet të rimëkëmbet”.

“Të shohim popullin afgan i cili është sprovuar në mënyrë serioze me konfliktet, ku prej mbi 40 vitesh shumë njerëz janë detyruar të braktisin vendin e tyre. Ti kushtojmë vëmendje britmave në rritje të fëmijëve në Jemen i cili ndodhet në një tragjedi të madhe dhe të cilin prej vitesh e kanë harruar të gjithë”, tha Papa.

Po ashtu pasi bëri thirrje që edhe Etiopia të gjejë rrugën e paqes dhe dakordimit në një mënyrë të sinqertë, Papa tha: “Mos lejoni që metastazat e një konflikti gangrenoz të përhapen në Ukrainë”.

“Bëjini zemrat tuaja bujare”

Kreu i Vatikanit u lut edhe për të sëmurët dhe personat që kanë nevojë për trajtim. “Bëjini zemrat tuaja bujare për të bërë të mundur që personat në nevojë të marrin trajtimin dhe kujdesin e duhur dhe kryesisht për qasjet në vaksina”, u shpreh ai.

Papa vuri theksin mbi nevojën për të mbrojtur botën të cilën ai e përshkroi si “shtëpi të përbashkët” dhe bëri thirrje që autoritetet politike të bëjnë marrëveshjet e nevojshme për të siguruar që brezat e ardhshëm të jetojnë në një mjedis të respektuar. /aa