Papa Françesku takon udhëheqësit e popullatës indigjene në Kanada

Papa takon dy grupe indigjene, pritet të takohet edhe me një tjetër grup mes skandalit rreth shkollave rezidenciale kanadeze që drejtoheshin nga Kisha Katolike

Papa Françesku është takuar me krerët e popullatës indigjene kanadeze në mes të skandalit lidhur me shkollat ​​rezidenciale në Kanada, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim, zyra e shtypit e Vatikanit tha se Papa dje u takua veçmas me dy grupe indigjene, 10 delegatë që përfaqësonin popullin Metis dhe tetë përfaqësues të Inuitëtve.

Papa, theksohet në njoftim, dëshiroi “të dëgjonte dhe të ofronte hapësirë ​​për historitë e dhimbshme të rrëfyer nga të mbijetuarit”.

Në një deklaratë pas takimit, Cassidy Caron, presidenti i Këshillit Kombëtar të Metis, tha: “Shpresojmë që Papa të dëgjojë historitë tona, që ai të pranojë dhe të kuptojë me të vërtetë, se ai i transmeton këto histori nga koka e tij në zemrën e tij – dhe pastaj të veprojë”.

Caron, i cili drejtoi delegacionin e Metis, e quajti takimin me Papën një “moment të jashtëzakonshëm për të mbijetuarit tanë”, duke shtuar: “Ai, duke folur në anglisht, përsëriti fjalët vërtetë, drejtësi dhe rikuperim duke dëgjuar me vëmendje tre nga të mbijetuarit e Metisit. Dhe unë këtë e marr si një angazhim personal”.

Papa Françesku do të mirëpresë delegacionin që përfaqëson Asamblenë e Kombeve të Parë të enjten, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Takimi ishte planifikuar për në dhjetor 2021, por u anulua për shkak të kërcënimit shëndetësor në rritje të variantit Omicron të koronavirusit të ri(COVID-19).

Tre grupe indigjene, Asambleja e Kombeve të Parë, Metis dhe Inuit, kanë të njëjtin qëllim: kërkim falje papale për rolin e Kishës Katolike në drejtimin e shkollave famëkeqe indiane rezidenciale duke filluar nga vitet 1820 deri në vitet 1990, kur u mbyll shkolla e fundit nga 139 sa ishin.

Rreth 150.000 nxënës u dërguan në shkolla, nganjëherë u morën nga familjet e tyre me forcë për të zhdukur kulturën indigjene.

Rreth 4.500 vdiqën, kurse disa nxënës iu nënshtruan abuzimit fizik, seksual dhe psikologjik.

Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 1.800 varre të pashënuara u identifikuan në vende të ndryshme të shkollave rezidenciale në të gjithë Kanadanë.

Rreth 60 për qind drejtoheshin nga Kisha Katolike dhe pjesa tjetër nga kisha të tjera të krishtera.

Kërkim falje janë bërë nga individë dhe grupe të ndryshme që përfaqësojnë Kishën Katolike, por asnjëherë nuk është kërkuar falje zyrtare nga një papë. /aa