Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Papa kërkon intensifikim të përpjekjeve për paqe në Ukrainë dhe zona të...

Papa kërkon intensifikim të përpjekjeve për paqe në Ukrainë dhe zona të tjera konflikti

Papa Leoni XIV bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe u kërkoi besimtarëve të luten për paqe në të gjitha rajonet e prekura nga konfliktet, përfshirë Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

Duke folur pas lutjes “Angelus” në Sheshin e Shën Pjetrit, papa tha se Ukraina vazhdon të përballet me “sulme të pamëshirshme”, duke i lënë civilët të ekspozuar ndaj kushteve të ashpra të dimrit, raportoi “Vatican News”.

“Edhe në këto ditë, Ukraina vazhdon të goditet nga sulme të pamëshirshme, duke lënë popullsi të tëra të ekspozuara ndaj të ftohtit të dimrit”, tha ai.

“E ndjek me trishtim atë që po ndodh, jam pranë atyre që vuajnë dhe lutem për ta”, shtoi papa, duke paralajmëruar se konflikti i zgjatur po ka “pasoja gjithnjë e më serioze për civilët”, po thellon ndarjet mes popujve dhe po e largon gjithnjë e më shumë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

“U bëj thirrje të gjithëve të intensifikojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”, tha ai.

Duke i nxitur njerëzit të jenë ndërtues të paqes “në shtëpi, në shkollë, në sport, kudo”, papa tha se dhuna duhet refuzuar “në fjalë dhe në veprime”.