Putin dhe Netanjahu në Bordin e Paqes për Gazën, po luftënxitësit kush janë?
Gjeopolitika na ka dhuruar së fundmi një skenë absurde që do ta kishin zili edhe dramaturgët më të mëdhenj të teatrit grotesk: Donald Trump, njeriu që e sheh diplomacinë si një marrëveshje për shitje apartamentesh në Manhattan, shpall me krenari krijimin e “Bordit të Paqes” për Gazën.
Dhe kush janë yjet e këtij bordi? Dy “kampionët” e paqes, dy “ikonat” e humanizmit: Vladimir Putini dhe Benjamin Netanjahu. Po, e lexuat mirë. Dy njerëz që e kanë kthyer luftën në një sport olimpik, tani do të na japin leksione për paqen.
Nëse kjo do të ishte një barcaletë, do të ishte e hidhur. Por meqë ndodhi në Davos, është thjesht “diplomacia e re”. Me modestinë e tij proverbiale, Trump deklaron se ky bord do të zëvendësojë OKB-në “e padobishme”. Dhe pse jo? Pse të humbasim kohë me rezoluta e konventa, kur paqen mund ta vendosin ata që e kanë shijuar luftën me tanke dhe raketa?
Ironia arrin kulmin me Benjamin Netanjahun. Kryeministri izraelit thotë “po” për paqen, por e bën këtë me një sy nga qielli i Gazës, ku bombat bien si fishekzjarrë, dhe tjetrin nga prangat që mund ta presin në aeroportin e parë europian.
Një “paqebërës” që nuk guxon të shkojë në ceremoninë e inaugurimit të bordit, sepse drejtësia ndërkombëtare e kërkon për krime kundër njerëzimit. Pra kemi një “bord paqeje” ku disa nga anëtarët janë të padëshiruar në gjysmën e planetit. Kjo është diplomacia e shekullit XXI.
Nga ana tjetër, ftesa e Putinit është qershia mbi tortë. Njeriu që ka harruar ku mbaron kufiri i tij dhe ku fillon tanku i radhës, tani do të na mësojë se si stabilizohet Lindja e Mesme. Ndërkohë që ai flet për paqe, Ukraina vazhdon të numërojë të vdekurit, qytetet e saj vazhdojnë të shkatërrohen, dhe refugjatët e saj mbushin Europën. Një leksion i ri: si të flasësh për paqe ndërsa bombardon fqinjët.
Ndërkohë, në Gaza, aviacioni izraelit godet makina gazetarësh dhe shkatërron selitë e UNRWA-së. Në terren, fëmijët palestinezë rriten mes rrënojave, ndërsa në Davos, “paqebërësit” diskutojnë mbi kafen e mëngjesit. Ky është kontrasti i shekullit: ata që flasin për paqe janë pikërisht ata që e shkatërrojnë çdo mundësi për të.
Pyetja që lind vetvetiu është: nëse këta janë paqebërësit – njëri me urdhër-arrest për krime lufte dhe tjetri arkitekt i pushtimeve – atëherë kush janë luftënxitësit e vërtetë? Gazetarët që guxojnë të dokumentojnë gjenocidin? Viktimat dhe të gjallët që ende vuajnë traumat e bombardimeve? Apo ndoshta ata që refuzojnë të marrin pjesë në këtë farsë, si Gjermania?
Kur arkitektët e paqes janë njerëz që Gjykata e Hagës i kërkon me ngulm, “Bordi i Paqes” i Trumpit nuk është tryezë diplomacie, por një klub ekskluziv azilantësh politikë me fuqi bërthamore. Mirë se vini në epokën ku ujku jo vetëm që ruan delet, por është edhe Kryetari i Bordit për Mbrojtjen e Jetës. /tesheshi







