Paralajmërohet karantinimi i Prishtinës nëse rritet numri i të prekurve me Covid-19

Gjatë 24 orëve të fundit 14 persona janë konfirmuar me koronavirus, duke çuar në 884 numrin e të infektuarve në nivel vendi.
Numri prej 14 të infektuarve vjen pas një trendi pozitiv të të shëruarve gjatë ditëve të fundit, ku u shëruan 655 persona.

Edhe pse në Prishtinë mbrëmë u konfirmua vetëm një rast, nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar se nëse rritet numri i të infektuarve mund të kthehen në fuqi masat strikte.

Sipas tij, Prishtina edhe mund të futet në karantinë, por edhe mund të kthehet “ora policore”.

“Duhet të respektohen këto rekomandime që mos të kthehemi në pikën zero, se prape do të kemi karantinë, izolime dhe mbikëqyrje të policisë. Andaj nuk kemi nevojë se deri me tani është respektuar mirë. Komuna do të insistojë në rast se do të ketë rritje të numrit të të infektuarve, që të vendos prapë masat e karantinës sikurse edhe mbikëqyrja 24 orë e policës. Nuk dëshirojmë që qytetarët të jenë më tepër të infektuar”, ka thënë Nushi.

Ai potencoi se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po respektojnë rekomandimet e IKShP-së, andaj bëri thirrje që të respektohen këto këshilla që mos të këtë rritje të numrit të të infektuarve.
Nënkryetari i Prishtinës ka treguar edhe për gjendjen në të cilën ndodhet Komuna nga rastet e prekura me Covid-19.

“Ne aktualisht deri me tani i kemi 73 të infektuar në tërë territorin e Prishtinës, nga ata 63 janë të shëruar tërësisht, dy raste me fatalitet dhe 8 raste janë aktive. Nga këto 8 raste, vetëm pesë raste i kemi këto tri ditët e fundit, katër raste nga këto vijnë nga Klinika private ‘Sirona’, kurse rasti i mbrëmshëm vjen nga Klinika Gjinekologjike në QKUK”.