Parisi dhe Berlini ndalojnë të gjitha demonstratat pro-palestineze

Ministri i Brendshëm i Francës, Gérald Darmanin, ka ndaluar të gjitha demonstratat pro-palestineze në vend dhe ka urdhëruar dëbimin sistematik të shtetasve të huaj që shkelin këtë ndalim.

Ky veprim vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve për “rritje të antisemitizmit të shkaktuar nga konflikti Izrael-Hamas”.

Franca ka një komunitet të madh hebre, më të madhin në Evropë dhe një popullsi të konsiderueshme muslimane poashtu.

Darmanin ka bërë thirrje për mbrojtje të shtuar të policisë për shkollat dhe sinagogat hebraike për shkak të rritjes së incidenteve antisemitike, duke përfshirë mbishkrimet, arrestimet e individëve që tentojnë të mbajnë armë në këto vende dhe kërcënime të tjera.

Berlini ndalon protestat pro-palestineze

Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz ka deklaruar “tolerancë zero” për antisemitizmin dhe ka ndaluar një grup pro-palestinez që festonte vrasjet e civilëve izraelitë.

Policia e Berlinit ka ndaluar gjithashtu demonstratat e planifikuara pro-palestineze, duke përmendur shqetësimet për deklaratat antisemite dhe glorifikimin e dhunës.

Përgjigja evropiane ndaj konfliktit Izrael-Hamas është shënuar nga një qëndrim i vendosur kundër antisemitizmit dhe mbështetje për sigurinë e Izraelit.

Politika franceze është prekur nga sulmi i Hamasit dhe pasojat e tij, me reagime të ndryshme nga parti të ndryshme.

Në Gjermani, ka pasur incidente të rrëzimit dhe shkatërrimit të flamujve izraelitë dhe qeveria ka fajësuar mbështetjen iraniane për veprimet e Hamasit. /mesazhi