Parlamenti Evropian mbështet përpjekjet e Mogherinit dhe dy presidentëve për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Deputetët kryesorë të Parlamentit Evropian po i mbështesin përpjekjet e presidentit kosovar dhe atij serb për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare.
David McAllister (EPP, Gjermani), Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Raportues për Serbinë, si dhe Igor Soltes (Greens/EFA, Slloveni), Raportues për Kosovën, janë takuar sot me Federica Mogherinin, Përfaqësuese e Lartë të BE-së dhe në fund të takimit, McAllister dhe Soltes kanë thënë se ky dialog është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë dhe për stabilitetin e tërë Ballkanit Perëndimor.Ne dëshirojmë të mbështesim ngrohtësisht përpjekjet e tyre, si dhe ato të vendosura nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, zëvendëspresidentja Federica Mogherini gjatë viteve të fundit për të tentuar arritjen e një marrëveshje, e cila është e zbatueshme, e qëndrueshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe për të mirën e të gjithë rajonit.Ne e dimë sa sfiduese mund të jenë këto diskutime, por një përfundim pozitiv mund të hap rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe do të çonte në marrëdhënie të mira fqinjësore.

Një marrëveshje e tillë me pëlqimin e ndërsjellë do të ishte një arritje historike dhe ne, në Parlamentin Evropian, mbetemi plotësisht të përkushtuar për t’ju ofruar gjithë mbështetjen tonë të dy presidentëve dhe Përfaqësueses së Lartë, për të siguruar një përfundim të suksesshëm”, ishte deklarata e përbashkët e McAllister dhe Soltes.