Parlamenti turk dënon komentet e Biden-it për ngjarjet e vitit 1915

Parlamenti i Turqisë ka dënuar komentet e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për pretendimet armene për ngjarjet e vitit 1915, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Si Asamble e Madhe Kombëtare e Turqisë, me keqardhje dhe fuqishëm dënojmë komentet e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, me një deklaratë të datës 24 prill 2021 për të miratuar pretendimet e lobeve armene për ngjarjet e vitit 1915”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga partitë politike.

“Ne i mohojmë fuqishëm këto shpifje të pabazuara, të cilat nuk kanë kuptim tjetër përveç shtrembërimit të historisë me motive politike”, thuhet më tej.

Parlamenti turk po ashtu i bëri thirrje Biden-it të korrigjojë gabimin e tij duke ndryshuar komentet e tij mbi ngjarjet e vitit 1915.

“(I bëjmë thirrje Biden-it) të mbështesë popujt turk dhe armenë për të jetuar në paqe, stabilitet dhe siguri”, shtoi deklarata.

Të shtunën, ngjarjet e vitit 1915 Biden i quajti “gjenocid”, duke shkelur një traditë të mbajtur nga presidentët amerikanë që përmbaheshin nga përdorimi i termit.

Qëndrimi turk për ngjarjet e vitit 1915

Pozicioni i Turqisë për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekja e armenëve në Anadollin Lindor u bë kur disa ia mbajtën anën rusëve pushtues dhe u rebeluan kundër forcave osmane. Ndërsa shpërngulja e mëvonshme e armenëve rezultoi me viktima të shumta.

Turqia kundërshton paraqitjen e këtyre incidenteve si “gjenocid”, duke i përshkruar ato si një tragjedi në të cilën të dyja palët pësuan viktima.

Ankaraja ka propozuar në mënyrë të përsëritur krijimin e një komisioni të përbashkët të historianëve nga Turqia dhe Armenia, si dhe ekspertë ndërkombëtarë për të zgjidhur këtë çështje. /aa