Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Partia e krishterë Forcat Libaneze: Rritëm numrin e deputetëve nga 15 në...

Partia e krishterë Forcat Libaneze: Rritëm numrin e deputetëve nga 15 në 20

Partia tha se me numrin e deputetëve që kanë marrë në zgjedhje ata janë partia më e fortë e krishterë

Partia e Forcave Libaneze, e njohur si anti-Hezbollah në Liban, njoftoi se ka rritur numrin e deputetëve nga 15 në 20 pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura dje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përgjegjësja për Media nga Partia Forcat Libaneze, Antoinette Geagea, në një deklaratë tha se me numrin e deputetëve që kanë marrë në zgjedhje ata janë partia më e fortë e krishterë.

Duke kujtuar se partia në mandatin e kaluar kishte 15 deputetë, Geagea tha se numri i deputetëve në këto zgjedhje është rritur në 20.

Nga ana tjetër, partia e krishterë Lëvizja Patriotike e Lirë, rivalja kryesore e Partisë Forcat Libaneze dhe aleate e Hezbollahut, tha se ka humbur vota.

Në deklaratën e partisë së drejtuar nga ish-ministri i Jashtëm libanez, Gebran Bassil, thuhet se numri i deputetëve të fituar është njoftuar si 16. Ndërkaq, në zgjedhjet e vitit 2018 Lëvizja e Lirë Patriotike kishte fituar 18 deputetë.

Numërimi i votave përparon ngadalë për shkak të ndërprerjeve të energjisë

Për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike në vend, procesi i numërimit të votave ka ecur shumë ngadalë këtë vit në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.

Për rezultatet jozyrtare nuk është bërë asnjë deklaratë, përveç dy partive të krishtera në fjalë.

Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Liban në maj 2018, Hizbollahu dhe aleatët e saj ishin në gjendje të marrin shumicën në parlamentin prej 128 vendesh dhe të formojnë qeverinë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse partitë e lartpërmendura do të arrijnë të ruajnë sërish shumicën në kuvend në këto zgjedhje.

Ministri i Brendshëm libanez, Besam Mevlevi, dje në një konferencë për media deklaroi se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 41 për qind. Mevlevi tha se këtij raporti ende nuk i është shtuar numri i votuesve jashtë vendit.

Sipas Marrëveshjes së Taifit të nënshkruar në vitin 1989, shpërndarja e deputetëve në parlamentin libanez është si vijon: 27 sunitë, 27 shiitë, 8 druze, 34 të krishterë maronitë, 14 ortodoksë grekë, 8 katolikë grekë, 1 evangjelist, 1 katolik armen, 5 ortodoksë armenë, 2 alevi, 1 minoritete të krishtera. /aa